Bullizmi një plagë e shkollave moderne
Shkruan: Pranvera Jetishi- Çollaku
Bullizmi, një fenomen që përshkruan sjelljet e përsëritura dhe të qëllimshme për të dëmtuar të tjerët, është shndërruar në një plagë të mjediseve edukative dhe sociale.
Për shumë fëmijë dhe të rinj, shkolla duhet të jetë një vend i sigurt për të mësuar dhe zhvilluar marrëdhënie të shëndetshme. Megjithatë, për nxënësit viktima të bullizmit, ajo shpesh shndërrohet në një burim frike dhe shqetësimi të vazhdueshëm.
Bullizmi nuk është vetëm një veprim impulsiv apo agresion momental. Ai lidhet ngushtë me faktorë më të thellë socialë, emocionalë dhe kulturorë. Fëmijët që bullizojnë shpesh vijnë nga mjedise ku ka mungesë vlerash, modele të sjelljeve pozitive ose ku kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës apo abuzimeve.
Ndërkohë, zhvillimi i teknologjisë dhe internetit ka sjellë një formë të re dhe më tinëzare të këtij fenomeni: bullizmi kibernetik, ku ngacmimet dhe poshtërimet bëhen të padukshme, por me pasoja të dukshme për mirëqenien e viktimës.
Pasojat e bullizmit në përgjithësi janë të thella dhe afatgjata. Viktimat shpesh mund të përballen me ankth, depresion dhe një ndjenjë të thellë izolimi. Ato mund të humbasin vetëbesimin dhe motivimin për të vazhduar ëndrrat e tyre.
Agresorët, nga ana tjetër, zhvillojnë sjellje të padëshiruara sociale që shpesh ndërlidhen me probleme të mëvonshme në jetë, si përdorimi i substancave ose sjellje antisociale. Dëshmitarët, po ashtu, nuk mbeten të paprekur; ata ndiejnë faj dhe pasiguri për mosndërhyrjen në raste të tilla.
Për të luftuar bullizmin, parandalimi është thelbësor. Një ndërgjegjësim më i madh në familje dhe në shkolla mund të ndryshojë trajektoren e këtij fenomeni. Bisedat e hapura me fëmijët për bullizmin, edukimi mbi pasojat dhe fuqizimi i rregullave kundër bullizmit janë hapa të rëndësishëm.
Për më tepër, ndërtimi i marrëdhënieve të ngrohta brenda familjes ndikon në uljen e rrezikut për të qenë pjesë e këtij fenomeni, qoftë si viktimë apo si agresor.
Mësuesit dhe prindërit luajnë një rol kyç në krijimin e një klime pozitive, ku fëmijët ndihen të sigurt dhe të respektuar. Një viktimë e bullizmit duhet të dijë se mund të kërkojë ndihmë pa frikë nga hakmarrja apo gjykimi.
Një agresor duhet të përballet me pasojat e veprimeve të tij, por gjithashtu t’i ofrohet mundësia për të mësuar dhe ndryshuar.
Si psikologe, e konsideroj një detyrë të rëndësishme për shoqërinë që të veprojmë me vendosmëri kundër bullizmit.
Duke krijuar mjedise ku secili fëmijë ndihet i pranuar dhe i vlerësuar. Sepse lufta kundër bullizmit është një luftë për të mbrojtur fëmijërinë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të shoqërisë.
(Autorja është themeluese dhe drejtuese e Qendres për Mirëqenie Psikologjike, Hulumtim dhe Mbështëtje Edukative “MIND CARE”)