Ushtari që e hodhi në erë Teslan në Las Vegas e përdori ChatGPT-në për ta planifikuar sulmin
Ushtari amerikan, i cili para disa ditëve hodhi në herë një veturë të tipit “Tesla Cybertruck” para hotelit “Trump” në Las Vegas, e përdori inteligjencës artificiale, përfshirë programin “ChatGPT”, për ta mbështetur planifikimin e sulmit, tha të martën policia në Las Vegas.
Një laptop, një telefon dhe një orë ende janë duke u analizuar gati një javë pasi 37-vjeçari Matthew Livelsberger e qëlloi veten për vdekje pak para se vetura të shpërthente, raporton gazeta “The Guardian”.
Analiza e kërkimeve të ushtarit në programin “ChatGPT” tregon se ai ishte duke kërkuar të dhëna rreth caqeve shpërthyese, shpejtësisë në të cilën lloje të caktuara të municionit lëvizin dhe nëse fishekzjarrët janë të ligjshme në Arizona.
Livelsberger, ushtar që ishte dislokuar dy herë në Afganistan dhe që jetonte në Kolorado, la shkrime ku thoshte se shpërthimi do të ishte një gjest që do të ishte “thirrje për zgjim” për telashet e vendit, thanë zyrtarët javën e kaluar.
Ai gjithashtu la shënime në telefon ku thoshte se kishte nevojë që ta “pastronte” mendjen “nga vëllezërit që i kam humbur dhe ta liroj veten nga barra e jetëve që i mora”.
Shpërthimi u shkaktoi lëndime të lehta shtatë personave, por nuk la pothuajse asnjë dëm në hotelin e Trumpit. Autoritetet thanë se ushtari veproi i vetëm.