Opozita e ashpër ndaj Kurtit për reduktimet e rrymës: Kosova në terr, dhuratë për fundvit
Kosova po përballet me mungesë të rrymës gjatë ditëve të fundit, e në disa qytete ndërprerja është më e theksuar. Madje, në disa vende, reduktimet e energjisë elektrike kanë zgjatur me dhjetëra orë.
Derisa qeveria ka heshtur në lidhje me këtë çështje, reagimet e opozitës nuk kanë munguar.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, kanë fajësuar keqmenaxhimin e qeverisë dhe mungesën e investimeve në sektorin e energjisë për problemet e fundit me reduktimet e energjisë elektrike.
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook ka potencuar se mungesa e rrymës ka ardhur si “dhuratë” nga qeveria.
“Dje në vigjile të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria. E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia. Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës.
Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor. Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”. Jo. Kosova mundet ma mirë”, ka shkruar ajo të mërkurën.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti është “qeveri e territ.
“Kjo Qeveria e territ ma patën kundërshtuar me krejt fuqinë, projektin e kontraktuar të termocentralit “Kosova C”, që Kosovën e bënte fuqi energjetike, me arsyetimin se çmimi i megavatit prej 80 eurosh, ishte i lartë e sot e paguajnë mesatarisht ka 400 euro;
E kundërshtuan gazin amerikan e dolën me bajrak kundër tij. U përfshinë në tregëti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës. Kur e morën pushtetin, bojshin hajgare me “bojlera e filtera.
Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i. E shtrenjtuan rrymën për tri herë e asgjë nuk qiten në dritë. Këta kurrë asgjë nuk qiten në dritë“, shkruhet në postimin e Haradinajt.
Reagime kishte edhe nga figurat e LDK-së, ku nuk mungoi ironia as nga kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.
Derisa ka shpalosur pak nga programi i LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka ironizuar duke iu drejtuar qytetarëve përmes frazës “Me shpresë se keni rrymë…”.
“Me shpresë se keni rrymë, e përtej temave populliste e patetike, përtej lojës me certifikim të Listës Serbe, si mjet i ndarjes së panevojshme brendashqiptare, më lejoni të ju drejtoj e të ju flas nga e ardhmja…”, shkruhet mes tjerash në postimin e tij.