Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej
Kur një aeroplan udhëtarësh me 67 njerëz në bord u rrëzua në tokë në bregdetin e Kazakistanit mëngjesin e 25 dhjetorit, mediat dhe autoritetet ruse vepruan shpejt për t’i theksuar shkaktarët e mundshëm: mjegulla e trashë, përplasja me zogj dhe shpërthimi i një boce oksigjeni në kabinë.
Megjithatë, provat gjithnjë e më të mëdha sugjerojnë se aeroplani i Azerbaijan Airlines, i cili po frutonte nga Bakuja drejt Groznit, kryeqytetit të rajonit rus të Çeçenisë, mund të jetë goditur nga një raketë e një kundërajrori që po mbrohej ndaj gjoja një sulmi ukrainas me dronë në Çeçeni, para se ta kalonte Detin Kaspik dhe të rrëzohej afër Aktaut në Kazakistan, duke i lënë të vdekur 38 udhëtarë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Provat, shumica e të cilave nuk janë konfirmuar nga autoritetet në Azerbjaxhan, Kazakistan apo Rusi, përfshijnë pamje nga brendësia e aeroplanit para rrëzimit të tij, fotografi që shfaqin vrima në bishtin e aeroplanit pas rrëzimit, komentet e një të mbijetuari, dhe dëshmitë që lënë të kuptohet se dyshohej për një sulm me dron në kohën kur aeroplani u përpoq të aterojë në Grozni.
Nëse konfirmohet se raketa tokë-ajër është shkaktari i rrëzimit, atëherë kjo do të ishte hera e dytë që një raketë ruse e rrëzon një aeroplan udhëtarësh që nga fillimi i luftës së Moskës në Ukrainë me pushtimin e Gadishullit të Krimesë dhe konfliktin në Donbas një dekadë më parë, raporton Radio Evropa e Lirë
Një raketë ruse që ishte sjellë në territorin e kontrolluar nga forcat e mbështetura na Moska në Donjeck e rrëzoi aeroplanin MH17 të Malaysia Airlines më 17 korrik 2014, duke i vrarë të gjithë 298 udhëtarët dhe ekuipazhin.
Pas rrëzimit, Rusia lëshoi një breshëri pretendimesh të rrejshme dhe teorish të çuditshme për shkaktarin.
Analisti ushtarak Yan Matveyev tha për Current Time se shpërthimi i një rakete ruse Pantsir S-1 në një distancë nga trupi i avionit mund t’i ketë shkaktuar këto dëme.
Përveç kësaj, pamjet nga brenda aeroplanit para rrëzimit tregojnë dëme të konsiderueshme.
Sipas The Wall Street Journal, firma e sigurisë së aviacionit me seli në Britaninë e Madhe, Osprey Flight Solutions, tha në një alarm për linjat ajrore se avioni “ka mundësi të jetë rrëzuar nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore ushtarake”.
“Videoja e avionit të rrëzuar dhe rrethanave rreth mjedisit të sigurisë së hapësirës ajrore në Rusinë jugperëndimore tregojnë se ka mundësi që avioni të jetë goditur nga ndonjë formë zjarri kundërajror”, citoi Journal shefin e inteligjencës nga Osprey, Matt Borie.
Avioni “u rrëzua nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore”, shkroi Andriy Kovalenko, kreu i Qendrës Kundër Dezinformimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, në një postim në X më 25 dhjetor.
Ai nuk dha prova përtej pamjeve, raportimeve në media dhe informacioneve nga burimet e hapur ekzistuese.