“Valixhja e dyshimtë” afër një ndërtesë në Ferizaj, policia pasi doli në vendngjarje: E ka harruar një qytetare pa dashje
Policia e Kosovës sot u njoftua për një valixhe të dyshimtë afër një ndërtese banimi sot në Ferizaj. Policia tha se në vend të ngjarjes ka dalë që nga ora 10:00, ndërsa aty ka dalë edhe njësia e deminimit.
Megjithatë, ky operacion policor përfundoi meqë valixhja nuk kishte asgjë të dyshimtë dhe atë e kishte harruar aty pa dashje një qytetare.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për Express se vetë qytetarja është lajmëruar.
“Ka përfunduar i gjithë operacioni i policisë në lidhje me informatën e valixhes së dyshuar në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj. Është lajmëruar një qytetare që e ka harruar aty pa dashje. Njëkohësisht është kontrolluar valixhja dhe nuk ka pasur asgjë të dyshuar. Të gjitha njësitet janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe është liruar rruga. Ndërsa qytetarja është ftuar për intervistë në stacionin e policisë në Ferizaj. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, ka thënë Veseli.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sali Çeku”.
“Me datën 26.12.2024 rreth orës 10:12 kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Sali Çeku’ në afërsi të një ndërtese të banimit në Ferizaj është një valixhe e dyshimtë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë, të cilët fillimisht kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes. Njëkohësisht janë njoftuar ekipet përkatëse të deminimit të policisë, të cilët pritet të dalin së shpejti në vendin e ngjarjes”, kishte thënë më herët Veseli.