“Nuk më lanë me e pa sa ishte i sëmurë” – Nasim Haradinaj përlotet teksa flet për vëllanë e ndjerë, Agronin
Ish-kryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, në paraqitjen e parë televizive pas lirimit nga Gjykata Speciale, ka folur për arrestimi, burgun, lirimin e çështje të tjera.
Gjatë kohës sa ishte në Hagë, më 2 mars të vitit të kaluar, Nasim Haradinaj i kishte vdekur vëllau, Agron Haradinaj. Edhe Agroni ishte luftëtar i UÇK-së.
Teksa po fliste për të vëllanë e ndjerë, Nasim Haradinaj nuk ka mundur t’iu përmbahet lotëve.
“Ai është momenti kur foli për Agronin. Ai më mungon, si shok e si vëlla. Ai ka qenë ajo forca jeme”, ka thënë Haradinaj në T7.
Tutje tregon se si Specialja nuk e kishte lënë për ta parë vëllanë Agronin, i cili para vdekjes ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Sjelljet e Gjykatës që i kanë bo ndaj meje e ndaj tij…Ky është mburrja jonë. Ky është forca, ky është bekimi jonë. Unë Agronin e kam pa t’uj vdekë. Nuk më kanë lanë me e pa, as vizitë. Në Gjermani e kem pasë 15-20 minuta rrugë. Tjertë i kanë lanë. Nëse ishin arsyetu për mossiguri në Kosovë, unë s’mendoj që shteti gjerman s’ka ofru siguri. S’kanë pyet kurrë, s’kanë dashtë kurrë”, ka thënë Haradinaj.
Ai thotë se ia kishin ndalur edhe platformën “Zoom” për të komunikuar me të.
“Ma kanë ndalë edhe zoom’in. Ma hjekshin vizitën familjare për një zoom me ta. Ai nuk mujke me folë por kish qejf”, shtoi ai.