Dallaveret me grante, Musliu: Fitore Pacolli nuk e ftoi asnjëherë gjatë vitit në raportim Faton Pecin
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një konferencë për media, ka kritikuar ashpër kryetaren e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacollin.
Këtë të fundit e ka akuzuar se asnjëherë gjatë gjithë vitit, nuk e ftoi në raportim Faton Pecin.
“Deputetët e VV-së e kanë dëshmuar se janë të papërgjegjshëm dhe abuziv me besimin që e morën nga qytetarët e këtij vendi. Njëra nga këta deputetë është kryetarja e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli. Ajo servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin si pjesë e organit më të lartë, Kuvendit. Si anëtare e Komisionit për Mjedis, dua të theksoj se Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme për legjislacionin në fuqi, me të cilin sigurohet funksionimi i sistemit demokratik”, tha Musliu.
“Ajo zgjodhi të mbështesë mendësinë grabitqare, klienteliste të kësaj qeverie. Fitore Pacolli gjatë gjithë vitit 2024 asnjëherë nuk e ka ftuar në raportim ministrin Peci, përkundër se ka pasur kërkesa. Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu. Të gjitha mbledhjet janë thirrur pa e respektuar rregulloren. Kryetarja e Komisionit, Fitore Pacolli, është sinonim si abuzohet me besimin e qytetarëve, si marionetë e pushtetit, e ka neglizhuar punën e komisionit parlamentar, sepse vetëm kështu ka menduar se do t’ia dale të mbajë larg abuzimet në ministri, të cilat është e thirrur t’i mbikëqyrë”, tha deputetja e PDK-së.