Konfirmohet raportimi i Periskopit: I preferuari i Pecit që ‘kapërceu’ tri pozita, zgjedhet Udhëheqës për Buxhet dhe Financa
Tre ditë më parë, Periskopi raportoi se si Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, me çdo kusht e dëshiroi që një person me emrin Bleron Haxhiu, ta punësoj në një pozitë të lartë në Ministri. Madje të njëjtit, në bazë të dokumenteve të siguruar nga Periskopi, i është përgatitur terreni gati tash e një vit për këtë pozitë.
Enis Rrustemi, Periskopi
Sot, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, njoftoi se kandidati fitues për pozitën Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Departamentin për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, është zgjedhur Bleron Haxhiu.
Si erdhi deri te punësimi i tij në këtë pozitë nga ministri Peci?
Brenda një periudhe prej më pak se 10 muajsh, Bleron Haxhiu, fillimisht punësohet në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë me kontratë të jashtëligjshme përmes procedurave të prokurimit edhe pse pozita ishte e rregullt. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2023.
Ky ishte hapi i parë që Bleron Haxhiu do të merrte drejt “rrugës” së tij në Ministrinë e udhëhequr nga Peci.
I preferuari i Pecit, më pas ia mësyn Zyrës së Prokurimit në Ministri. Aty zgjedhet fitues, por sërish me shkelje ligjore të shumta çka edhe e vërteton vendimi i KPMSHCK ku mori vendim për anulimin e procesit në terësi.
Bleron Haxhiu vazhdoi me hapa të sigurt, në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë – si “Zyrtar i lartë i pagesave direkte”, në Departamentin e Pagesave direkte, zyre kjo e cila menaxhon hiç më pak se 60 milionë euro.
Edhe pas tri pozitave të pranuara brenda ne më pak se një vit, shumica me shkelje ligjore edhe të konfirmuara, tashmë i njëjti nga sot do ketë pozitën Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Departamentin për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme.
Kujtojmë se Periskopi në vazhdimësi ka raportuar rreth keqpërdorimeve, dallavereve e skandaleve që e kanë përcjellur Ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci.
Madje, burime të Periskopit kanë bërë të ditur se Krimet Ekonomike i kanë nisur hetimet rreth këtyre dyshimeve për keqpërdorime që po ndodhin në MBPZHR. /PERISKOPI/