Kurti paralajmëron sulme të tjera në veri para dhe pas Vitit të Ri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media derisa ka folur për sulmet e vazhdueshme në veri të vendit, ka thënë se priten sulme të tilla “veçmas para dhe pas Vitit të Ri”.
“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe
veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, tha ai.
Kurti tha se janë të përkushtuar që këto metoda të “neutralizohen maksimalisht”, përkundër se sulme të tilla, siç tha, janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme.
Kryeministri ka thënë se sulmi i fundit në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor ka pasur qëllim ta rrezikojë sigurinë nacionale të Kosovës.
Ai ka shtuar se prapa sulmit, qëndron terroristi Milan Radoiçiq.
Shefi i Qeverisë ka thënë se me shpërthimin me eksplozivë në “Ibër-Lepenc” grupit terrorist të cilit, siç thotë ai, i prin Radoiçiqi kishte për qëllim ta paralizonte jetën ekonomike dhe energjetike në Kosovë.