Shtyhet gjykimi për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq

Shtyhet gjykimi për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq

Për shkak se dëshmitari i paraparë të dëgjohet të martën mungoi për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Millorad Gjokoviq akuzohet për krime lufte.

Sipas aktakuzës, Gjokoviq akuzohet për krime të kryera në vitet 1998-1999 në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth rajonit të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Valon Kurtaj tha se dëshmitari e kishte njoftuar mbrëmë se nuk mund të paraqitet në seancën e sotme për arsye shëndetësore.

Ndryshe, seanca e 1 nëntorit 2024 kishte vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Halit Gashi dhe u dëgjua edhe dëshmitari Ferat Morina.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Prokuroria Speciale dhe SPAK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore

Shpërndaje në: