Inter Miami synon të ribashkojë MSN-në

Inter Miami synon të ribashkojë MSN-në

Inter Miami është i etur që të ribashkojë Neymar dhe Lionel Messin, teksa raportimet nga Spanja sugjerojnë se një ofertë zyrtare pritet të bëhet së shpejti. 

Ylli brazilian momentalisht aktivizohet në radhët e Al-Hilalit në Superligën e Arabisë, por ka duruar një periudhë të vështirë në Lindjen e Mesme shkaku i lëndimeve të shpeshta.

Kontrata e tij në Riad pritet të skadojë në 2025, diçka që ka bërë që të ‘shpërthejnë’ thashethemet për të ardhmen e tij.

Ka pasur disa zëra se Neymar mund ta vazhdojë karrierën në MLS e cila do t’i lejonte atij të ribashkohej me Lionel Messin dhe Luis Suarez për ta formuar edhe një herë tjetër treshen ‘MSN’.

Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll AS, bordi drejtues i Inter Miamit duke përfshirë edhe Jorge Mas, po e konsiderojnë Neymarin si një objektiv real.

Është raportuar se klubi amerikan mund të bëjë lëvizjen e tyre gjatë janarit para fundit të kampanjës së MLS, ose mund të presin deri në verë kur zhvillohet Kupa e Botë për Klube.

Në rast se ata vendosin të ecin përpara me idenë e transferimit të Neymar, atëherë nuk do të kishte hapësirë edhe për transferimin e Antoine Griezmann.

Kjo për shkak se do të plotësohej numri i lojtarëve të huaj të lejuar brenda ekipit tani që edhe Messi thuhet se do ta vazhdojë kontratën përtej vitit 2026.

Shpërndaje në: