Rektori që u ngrit në profesor duke votuar për veten, synon t’a degradojë Enver Hasanin, ky iu shkruan letër senatorëve: Përndjekje
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, që është ngritur në gradën e profesorit të rregullt duke votuar për veten, po synon që t’ia heq këtë gradë ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për arsye të tjera. Në mbledhjen e fundit të Senatit, ku ai provoi pa sukses që ta bënte këtë, iu hoqën gradat katër profesorëve me arsyetimin se si anëtar këshilli kishin votuar për veten. Por njësoj kishte bërë edhe Hajrullahu. Hasani përmend synimet e rektorit për ta përndjekur atë për interesa personale, në një letër të cilën ua ka dërguar senatorëve të UP-së dhe anëtarëve të Këshillit të ri të Etikës.
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ndaj të cilit ka bërë kallëzim penal, po tenton ta përdorë Senatin si “organ represiv” për ta ndjekur atë dhe për ta degraduar nga profesor i rregullt në profesor të asociuar.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ua ka dërguar një letër senatorëvë të UP-së, të cilët do të mblidhen sot.
Në mbledhjen e 27 nëntorit, Senati i UP-së mori vendim për hedhjen poshtë të propozimit të Këshillit të Etikës si jashtë afatit ligjor. Për rrjedhojë, Hasani konsideron se ai propozim “është ligjërisht i mbyllur me vendimin e datës 27 nëntor 2024, dhe çdo rishqyrtim i tij përbën vepër penale – shpërdorim të detyrës zyrtare”.
Përkundër këtij vendimi të Senatit, Hasani shkruan se rektori Arben Hajrullahu – të cilit thotë se nuk mund t’i drejtohet më si ‘rektor’, pasi “nuk është i tillë për shkak të shprehjes së hapur të armiqësisë dhe urrejtjes patologjike” ndaj tij – në mënyrë “arbitrare dhe të papranueshme, nxori nga dosja e propozimit të KE, tashmë të hedhur poshtë nga ju, të ashtuquajturin ‘avancimin tim kundërligjor’ dhe e trajtoi si të mirëqenë, sikur të ishte një vlerësim i Gjykatës Supreme të SHBA-së”.
Hajrullahu u kishte kërkuar senatorëve atë ditë që të votonin për heqjen e titujve akademikë të Hasanit, por kishte marrë vetëm tre vota. Propozimin e tij, Hasani e quan “arbitrar dhe absurd”, dhe ky propozim, siç thotë profesori, konfirmon “karakterin e tij të pabazuar dhe të motivuar nga interesa personale”.
“Me këtë, çdo dimension i propozimit të KE kundër meje, të nënshkruar nga Iset Morina, është mbyllur dhe konsiderohet çështje ligjërisht e përfunduar për shkak të tejkalimit të afateve, siç është konstatuar nga Senati me votimin kundër atij propozimi më datën 27 nëntor 2024, bazuar në vetë propozimin e Arben Hajrullahut. Për pasojë, pika II e Opinionit të AKP-së është pa objekt për shqyrtim, qoftë në Senat apo në ndonjë instancë tjetër. Ndërkohë, një tjetër propozim, krejtësisht personal, i Arben Hajrullahut për revokimin e titujve të mi akademikë, nuk ka kaluar në votimin e Senatit, pasi mori vetëm tri vota“, iu shkruan Hasani senatorëve të UP-së.
Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara, “nuk nënkupton asnjëherë ndryshimin e agjendave dhe vendimmarrjeve të kryera në mbledhjen pararendëse”, thotë Hasani. Kjo, thotë ai, është një rregull themelor ligjor.
“Ato vendime tuaja, sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, përbëjnë akte reale dhe kanë efekte të njëjta juridike me aktet e tjera formale që nënshkruhen dhe vulosen nga autoritetet përkatëse“.
Në mbledhjen e fundit të Senatit është vendosur të formohet një komision ad-hoc që trajton avancimet e ish-rektorëve dhe rektorit aktual. Në këto rrethana, Hasani thotë rektori Hajrullahu ka “konflikt interesi” dhe nuk mund të merret me të.
“Ju njoftoj se çdo përmendje e emrit tim nga ana e Arben Hajrullahut, në çfarëdo cilësie qoftë, përbën persekutim dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Nga momenti kur kam paralajmëruar me shkrim ngritjen e padisë civile kundër tij, Arbeni ka konflikt interesi dhe nuk mund të merret me mua, aq më pak të përdorë Senatin Akademik si organ represiv për ndjekje, me qëllim të zgjidhjes së hesapeve personale, të cilat ai i ka krijuar në mendjen e tij në raport me mua”, shkruan profesori.
Në mbledhjen e fundit, kur Senati i UP-së ua tërhoqi gradat katër profesorëve me arsyetimin se si anëtarë këshilli kishin votuar për veten, por në rrethanë të njëjtë është ngritur në gradën e profesorit të rregullt edhe rektori Hajrullahu.
“Siç e dini, në letrën time të fundit, pas mbledhjes së Senatit më datën 27 nëntor 2024, kam vënë në dukje padrejtësinë që Arbeni u bëri kolegëve të Fakultetit Filozofik, të cilët i ktheu prapa vetëm sepse kishin qenë të pranishëm gjatë propozimit për avancimin e tyre. Ndërkohë, vetë Arbeni, siç e kam provuar me dokumente dhe siç ai vetë e ka pohuar në gazetën KOHA Ditore, jo vetëm që ka qenë i pranishëm, por edhe ka votuar për vetveten. Për këtë arsye, kam bërë kallëzim penal kundër Arbenit dhe jam i bindur se ai do të ketë vështirësi për të provuar pafajësinë e tij”, shkroi Hasani në letrën dërguar senatorëve.
Për çfarëdo gjëje që ka elemente të kundërligjshmërisë në veprimet e tij, Hasani thotë se “Arbeni apo kushdo tjetër është i lirë ta dërgojë në prokurori”. Por thekson se “çdo qasje tjetër nga ai apo vartësit e tij të drejtpërdrejtë përbën një vepër të pastër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Këtë letër, Hasani ua dërgoi edhe anëtarëve të Këshillit të ri të Etikës, duke iu kërkuar atyre nisjen e procedurave kundër Iset Morinës për “shkelje të rënda të Kodit të Etikës dhe Disiplinës së Punës si profesor universitar”, siç ka konstatuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në opinionin e saj të datës 17 dhjetor 2024.
“Nuk mund të anashkalohet lehtë kjo shkelje e rëndë ligjore, me dimensione të pastra etike dhe disiplinore. Prandaj, KE duhet që brenda afateve ligjore të nisë procedurat kundër Iset Morinës për shkeljet e përshkruara në opinionin e mësipërm”, shkruan Hasani.
Hasani është denoncuar nga dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, për marrjen e thirrjeve akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake.
Denoncimi kishte ardhur pasi Hasani paraprakisht e kishte denoncuar Pukën se ka gënjyer se ka kryer doktoratë në Universitetin La Sapienza të Romës. /Express/