Gërvalla: “Rambo” është strukur prej një komenti në Facebook

Gërvalla: “Rambo” është strukur prej një komenti në Facebook

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është “strukur” nga komenti i një qytetar me emrin Shpat Sokoli, i cili e kishte kërcënuar deputetin e AAK-së duke shkruar në rrjetin e tij social në Facebook se Haradinaj “e meriton plumbin në ballë”.

“Zotëri Haradinaj të cilin miqtë e tij dëshirojnë ta thërrasin ‘Rambo’ është strukur prej një komenti në Facebook. Komente të tilla marrë çdo tre ditë dhe nuk ka javë që unë nuk qitem në pushkatim, që nuk varem në litar dhe që nuk ma japin plumbin në lule të ballit, por janë komente në Facebook edhe duhet pak dinjitet që të përballemi me komete të tilla”, tha ajo në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

“Ne jemi figura politike të cilat bartim përgjegjësi për fjalët që themi dhe për veprimet që ndërmarrim. Unë nuk i marrë seriozisht, por nuk do të thotë që organet e sigurisë nuk duhet të merren me këto kërcënime, sepse fushatat sidomos ndaj grave janë ashpërsuar shumë”, ka shtuar kryediplomatja kosovare.

Ndryshe, katër ditë më parë, Prokuroria e Prishtinës kishte njoftuar se Shpat Sokoli i dyshuar për kërcënimin e Ramush Haradinajn, është ndaluar dhe pas marrjes së deklaratës ai është liruar në procedurë të rregullt.

“Lidhur me rastin për të cilin keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se fillimisht është ndaluar një person për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale kanosja, kurse pas marrjes së deklaratës i njëjti është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen në tërësi të rastit”, pati njoftuar Prokuroria.

Sokoli e kishte kërcënuar kryetarin e AAK-së përmes një komenti në Facebook. “Publikisht po të them t’i e meriton veç një plumb në ballë. Hajn i klubeve të Zvicrës”, kishte komentuar ai në rrjetin e tij social.

Por, pasi u përhap lajmi për këtë kërcënim, llogaria me emrin Shpat Sokoli u zhduk dhe u fshinë të gjitha postimet dhe fotografitë.

Pos Hardianajt, gjatë vitit 2021 edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte marrë kërcënime në rrjetet sociale nga një llogari e paqartë ku ishte premtuar një shumë parash për siç thuhej “vrasjen e kryeministrit Kurti”.

Shpërndaje në: