Selmanaj: LDK ishte më shumë se një parti, ishte mbështetëse e fuqishme e identitetit kombëtar dhe e aspiratës për liri
Deputeti i LDK-së dhe kandidati edhe për një mandat, Driton Selmanaj ka lartësuar figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, në ditën kur shënohet 35 vjetori i themelimit të LDK-së.
Selmanaj ka shkruar se Presidenti Rugova, me vizionin e tij të qartë dhe përkushtimin për një qasje paqësore, u bë udhërrëfyesi i një populli të tërë në një kohë kur shpresat ishin të zbehta dhe sfidat të mëdha.
“Ai jo vetëm që frymëzoi organizimin institucional dhe diplomatik të Kosovës, por edhe krijoi një identitet të ri politik dhe kulturor që e bëri të mundur qëndresën tonë deri në fitore”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Për të, LDK ishte më shumë se një parti.
“LDK, si një lëvizje politike dhe kulturore, ishte më shumë sesa një parti – ishte një mbështetëse e fuqishme e identitetit kombëtar dhe e aspiratës për liri”, ka shkruar Selmanaj.