Sekuestrohen armë dhe municion pas një rasti të kanosjes në Rahovec
Policia ka njoftuar se dje një person është kanosur nga një person tjetër.
Policia kishte informata që i dyshuari posedonte armë në pronën e tij në fshatin Pataqan i Poshtëm të Rahovecit, ku edhe është kryer një kontrollë.
“Më datën 22 dhjetor 2024, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar një raportim lidhur me një rast të kanosjes. Viktima, mashkull i moshës madhore, ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari, po ashtu mashkull i moshës madhore, e kishte kanosur. Lidhur me ankesën, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, pasi kishte dyshime se i dyshuari posedonte armë zjarri në pronën e tij në fshatin Pataqan i Poshtëm të komunës së Rahovecit. Në konsultim me prokurorin kujdestar, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse në pronësi të të dyshuarit.”
Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar:
– Një pushkë gjuetie dhe 25 fishekë,
– Një pistoletë dhe 25 fishekë,
– Një pushkë ajrore dhe
– Një pistoletë për sinjalizim me zë.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe i njëjti është ndalur në mbajtje për 48 orë.