Ibrahim Kadriu fitues i orës së madhe letrare ‘Flakadani i Karadakut 2017’
Në këtë orë letrare nga juria profesionale janë zgjedhur edhe fituesit, ku vendi i parë i është ndarë Ibrahim Kadriut, vendi i dytë Bilall Maliqi dhe vendi i tretë Kristinë Docaj, përcjell KultPlus. Ndërsa për vepër jetësore, u nderua poeti Agim Vinca.
E veçanta e kësaj ore letrare ishte pjesëmarrja edhe e poetëve nga Unioni i Shoqatave Shqiptare që veprojnë në Suedi. Këtë eveniment e shpalli të hapur drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kaltrina Sylejmani , e cila ndër të tjerash ka theksuar se pjesëmarrja e poetëve e krijuesve nga anembanë tokat shqiptare, po nderojnë figurën e dëshmorit Nijazi Azemi, por edhe Vitinë dhe gjithë Manifestimin Flakadani i Karadakut.
Ndërsa në emër të këshillit organizativë, Ismajl Baftjari ka përmendur rrugëtimin e Flakadanit për 16 vite me radhë, ndërkohë që edhe zgjerimin e orës letrare e ka vlerësuar si shumë të suksesshme, kurse është shprehur se Flakadani i Karadakut është vet fytyra dhe shpirti i Nijazi Azemit.
Në këtë orë letrare, u promovuan edhe dy libra të autorëve Ramadan Reshitaj e Ahmet Bella , të cilët jetojnë dhe veprojnë në Suedi.