Vazhdojnë protestat kundër Vuçiqit në Serbi – shkelet me veturë një profesoreshë që proteston në Beograd

Vazhdojnë protestat kundër Vuçiqit në Serbi – shkelet me veturë një profesoreshë që proteston në Beograd

Edhe sot kanë vazhduar protestat anti-qeveritare të studentëve dhe disa profesorëve anembanë Serbisë.

Një incident ka ndodhur gjatë manifestimit të pakënaqësisë së qytetarëve, ku një veturë ka tentuar të çajë sot postbllokun para Fakultetit të Farmacisë, duke rrëzuar një grua.

Mediumi N1 raporton se bëhet fjalë për një profesoreshë të Fakultetit të Farmacisë, e cila ka mbetur e lënduar dhe është dërguar me urgjencë në spital.

 

Ngjarja ka ndodhur gjatë bllokadës së përditshme në orën 11:52, në shenjë nderimi për 15 personat që humbën jetën nga rënia e strehimores së jashtme të stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Studentët thonë se kërkesat e tyre, pavarësisht pretendimeve të kundërta të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk janë plotësuar.

 

Kërkesat e studentëve mbeten të njëjta – hapja e dokumente sekrete për ngjarjen tragjike në stacionin e trenit në Novi Sad, por edhe procedimi i grupit organizativ që i sulmoi ata dhe profesorët e tyre në një tubim, derisa po nderonin ata që humbën jetën në këtë tragjedi.

Ndryshe, universitetet në Beograd dhe Novi Sadit janë nën bllokadë totale. Të gjitha fakultetet në Kragujevc dhe Nish gjithashtu kanë ndaluar së funksionuari. /Telegrafi/

Shpërndaje në: