BE-ja ndalon një sasi të mandarinave shqiptare, cilësohen të rrezikshme
Të mërkurën, presidenti i Urdhrit Profesional Veterinar i Shqipërisë (UPMVSh), Ervin Resuli, ka shkruar në një postim në faqen e tij në Facebook, se një sasi mandarinash me origjinë nga Shqipëria që synonte tregun evropian, është ndaluar nga autoritetet e huaja, për shkak të një niveli të lartë mbetjesh pesticide, të ndaluara nga vendet e BE.
“Gjatë periudhës 29 nëntor – 11 dhjetor 2024, sistemi evropian i sigurisë ushqimore RASFF ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet në ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria. Këto substanca janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara në Bashkimin Europian për shkak të dëmeve të tyre afatgjata”, deklaroi Resuli.
Veç njoftimit për bllokim të ngarkesave, ai ka akuzuar ministrinë e Bujqësisë për fshehje të rastit.
“Ministria e Bujqësisë nuk ka bërë publik asnjë njoftim nëse këto produkte janë konsumuar në tregun vendas apo janë asgjësuar sipas ligjit”, u shpreh kreu i UPMVSh-së në këtë postim.
Lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e vendit, e cila duke e cilësuar lajmin si të vërtetë, shkruan se ka nisur marrjen e masave lidhur me ngarkesat e eksportit të kthyera mbrapsht.
Po ashtu, Ministria bën të ditur se konkretisht bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Sipas Ministrisë, dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës.
“Bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës. Njëra prej këtyre ngarkesave është dërguar nga AKU – Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët me adresë fshati Gorican, bashkia Dimal, qarku Berat dhe fshati Mursi, bashkia Konispol, qarku Vlorë. Pas gjurmimit dhe marrjes së informacionit shoqërues, sqarojmë se analizimi laboratorik me Nr. 24112916.001, në datën 14.11.2024 me qëllim autokontrollin nga ana e subjektit eksportues është kryer në një laborator në Bari të Italisë. Sipas raport provës, produkti ka rezultuar konform në lidhje me nivelin e mbetjes së pesticideve”, deklaroi Ministria.
MBZhR thekson se ngarkesa tjetër gjendet aktualisht e bllokuar në subjektin grumbullues të ndodhur në Qarkun e Fierit dhe procedura e asgjësimit të produkteve do të kryhet nga ky Operator i Biznesit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetin Kombëtar të Mjedisit.
Kjo ngarkesë, sipas Ministrisë, nuk është shoqëruar me një raport laboratorik, pasi nuk është detyrim ligjor për subjektet eksportuese, të cilat e kryejnë këtë proces në kuadër të vetë kontrollit.
Ngarkesa e tretë e njoftuar me mbetje mbi normë të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve, Ministria thotë se ende nuk ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë. “As kjo ngarkesë nuk ka qenë e shoqëruar me një fletë analize”.
“Lidhur me ngarkesën e parë të përmendur më sipër, bëjmë me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë menjëherë masa për kundërvajtjet administrative në subjektin përkatës që ndodhet në Berat duke gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e subjektit për moszbatim të legjislacionit në fuqi. Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po mbikëqyren dhe merren masa për fermerët, të cilët kanë përdorur produkte për Mbrojtjen e Bimëve të ndaluara në Republikën e Shqipërisë”.
Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit thuhet se ka marrë masa të menjëhershme duke ngritur grupe pune për analizimin, vlerësimin e situatës mbi koordinimin për ndjekjen e veprimeve proceduriale në secilën hallkë të zbatimit të kontrollit zyrtar të rastit.
Ministria e Bujqësisë bëri thirrje te fermerët dhe prodhuesit shqiptarë që të përmbushin detyrimet ligjore, si dhe të respektojnë praktikat e mira të punës në gjithë zinxhirin e prodhimit në fermë duke përdorur vetëm produkte të lejuara, nën mbikëqyrjen e profesionistëve dhe respektimin e kohës së karencës, për të garantuar prodhim vendas të sigurt për konsumatorin shqiptar dhe tregjet ndërkombëtare.
Presidenti i Urdhrit Profesional Veterinar i Shqipërisë (UPMVSH), Ervin Resuli, tha po ashtu se legjislacioni shqiptar është harmonizuar me atë të BE-së, mirëpo realiteti në terren tregon një mungesë totale të mbikëqyrjes dhe transparencës.
“Ngarkesat e bllokuara nga BE tregojnë se këto pesticide ende qarkullojnë dhe përdoren në vend. Ministria e Bujqësisë nuk ka bërë publik asnjë njoftim nëse këto produkte janë konsumuar në tregun vendas apo janë asgjësuar sipas ligjit. Tregtarët dhe fermerët vazhdojnë të përdorin produkte të ndaluara, duke rrezikuar shëndetin publik dhe reputacionin e eksporteve shqiptare”, u shpreh ndër të tjera ai.
Por sot, vetë Resuli doli me një postim të ri, duke thënë se cilësia dhe standardi i mandarinës shqiptare tashmë janë të njohura në tregjet evropiane që kur analizat e saj janë publikuar në sistemin evropian RASFF.
Ai thotë se çdo shtet i Evropës dhe më gjerë mund të aksesojë të dhënat dhe të verifikojë situatën e prodhimeve shqiptare.
“Debati i brendshëm nuk prish imazhin e mandarinës shqiptare, përkundrazi, ai ka për qëllim të nxisë ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë institucionale. Problemi i përdorimit të Clorpirifosit është bërë publik dhe është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë të veprojë në kohë për të parandaluar raste të tilla, e jo të sillet si zjarrfikës që ndërhyn vetëm pas alarmit”.
“Fshehja e informacionit dhe mungesa e transparencës për konsumatorët është e papranueshme. Ministria duhet të garantojë që produktet e papërshtatshme të asgjësohen dhe të ndërmarrë masa të qarta parandaluese. Siguria ushqimore duhet të jetë prioritet dhe qytetarët kanë të drejtë të informohen me kohë për masat e marra”, deklaroi Resuli.
Çfarë është chlorpyrifos?
Sipas Ervin Resulit, Chlorpyrifos-ethyl është një pesticid që:
Ndikon në zhvillimin e trurit tek fëmijët, veçanërisht në fazat e hershme të jetës.Shkakton dëmtime të sistemit nervor dhe çrregullime të sistemit endokrin.Rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.
Resuli thotë se Chlorpyrifos është ndaluar plotësisht në BE për përdorim dhe tregtim me Rregulloren Implementuese të Komisionit 2020/18/BE, datë 10 janar 2020, e cila hyri në fuqi më 16 shkurt 2020.
Në Shqipëri, ai thotë se ndalimi i përdorimit të tij është bërë me Urdhrin e Ministrit Nr. 26, datë 22.1.2020, ku përcaktohet se: “Të kryhet çregjistrimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve që përmbajnë Chlorpyrifos brenda datës 16 shkurt 2020”.