KMDLNj: Duhet të hetohen rastet e kërcënimeve të Mirenës, Buzhalës dhe Haradinajt

KMDLNj: Duhet të hetohen rastet e kërcënimeve të Mirenës, Buzhalës dhe Haradinajt

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se nuk ka pasë asnjë reagim zyrtar apo institucional, ose njoftim nga organet e sigurisë për kërcënimet e fundit, që sipas KMDLNj-së, për qëllim kanë frikësimin e veprimit opozitar, atij politik si dhe të gazetarisë.

Në reagimin në fjalë thuhet brenda 24-orëve nga persona me identitet real apo të sajuar janë kërcënuar me vrasje gazetarët Ilir Mirena dhe Berat Buzhala, si dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

” Këto kërcënime po ripërsëriten në kohën e fushatave zgjedhore si dhe gjatë proceseve, me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Përballja joparimore midis pozitës dhe opozitës po krijon një mjedis toksik ku fjala e lirë dhe veprimi opozitar, si të drejta elementare të njeriut e që mbrohen , së paku deklarativisht nga ligji në Kosovë, seriozisht po e rrezikojnë përcaktimin dhe veprimin demokratik për të cilin janë deklaruar pozita dhe opozita”.

“KMDLNj-ë e dënon çdo kërcënim që e rrezikon veprimin politik opozitar dhe të pozitës sikur edhe punën e gazetarëve. Liria e punës, fjalës dhe shprehjes janë të garantuara dhe, si të tilla janë të pacenueshme”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, KMDLNj kërkon hetime të shpejta për rastet në fjalë.

“KMDLNj  fton Prokurorinë e Shtetit që të caktojë një ekip emergjent të prokurorëve, sidomos gjatë fushatës që do të reagonte ex-officio kundër kërcënuesve dhe dhunuesve të lirisë së fjalës dhe aktiviteteve politike ndryshe përshkallëzimi o dhunës, fillimisht verbale do të përfundojë me dhunë fizike. Policia e Kosovës ka kapacitete të bollshme profesionale të pengojë dhe arrestojë dhunuesit, pavarësisht se kush janë ata. Politikanët duhet ta respektojnë kodeksin e mirësjelljes duke dhënë kontribut konkret për ulje të tensioneve gjatë fushatës , ditën e zgjedhjeve dhe në kohën e tranzicionit institucional pas zgjedhjeve”.

Shpërndaje në: