Von der Leyen: Jemi të gatshëm për heqjen e masave, por na duhet konsensus

Von der Leyen: Jemi të gatshëm për heqjen e masave, por na duhet konsensus

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der leyen, ka thënë se Kosova duhet t’i tejkalojë sfidat për të shkuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në konferencën për media pas Samitit BE – Ballkani Perëndimor, ajo ka theksuar se edhe për heqjen e masave ndaj Kosovës, nevojitet unanimitet i shteteve anëtare e që kjo nuk ekziston për momentin.

“Ne jemi të gatshëm për heqjen e masave, por edhe këtu na duhet unanimitet me shtetet anëtare, kjo nuk po jepet për momentin. Por ne punojmë fuqishëm ta arrijmë sepse mendoj se me të vërtetë është e rëndësishme edhe për Kosovën që të ecë përpara. Ne si Komision jemi siguruar që nuk ka humbje të parave, kjo është e rëndësishme. Mbështetje e plotë për Kosovën, por ky është proces i zgjerimit me sfida që duhet t’i tejkalojmë që më pas të garantojmë unanimitetin për të shkuar përpara”, ka theksuar ajo.

Von der Leyen ka shtuar se shtetet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të përgatiten për përgjegjësitë e anëtarësimit, e nga ana tjetër edhe BE-ja duhet të akomodohet për një familje më të madhe.

“Duhet të ngrihemi ndaj realitetit të ri. Realiteti i ri është se nuk është e mjaftueshme që thjesht ta lëmë derën e hapur për anëtarët aspirues, por duhet të jemi aktivë dhe aktivisht duhet t’i afrojmë. Do të vazhdojmë të punojmë në dy prioritete me partnerët tanë të Ballkanin Perëndimor, njëra është pranimi në BE dhe tjetra është integrimi gradual në tregun tonë të përbashkët”, ka thënë ajo në konferencë për media pas Samitit Be – Ballkani Perëndimor.

Ndërsa, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor ishin në linjë me Deklaratën e përbashkët e dalë pas samitit. Ai ka potencuar se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE.

“Nuk ka rajon tjetër në botë ku BE-ja ka investuar kaq shumë burime, financiare, njerëzore dhe ekspertizë. BE-ja është tashmë partneri më i madh ekonomik dhe investitor në Ballkanin Perëndimor. Është dhe do mbetet partneri më i qëndrueshëm në të ardhmen. E dimë të gjithë se disa sfida mbeten. Mosmarrëveshje bilaterale dhe dilema fqinjësore ende duhet të adresohen. Duhet të qëndrojmë të fokusuar ne reforma kredibile dhe të qëndrueshme, dhe pranimi do të bëhet në bazë të meritave”, ka thënë Costa.

Costa ka shtuar se duhet shfrytëzuar momentumi i ri “për të krijuar kushtet e nevojshme për zgjerim, sepse nuk ka dyshim që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”.

Shpërndaje në: