Përkeqësohet gjendja psikologjike e Parashqevi Simakut

Përkeqësohet gjendja psikologjike e Parashqevi Simakut

Gjendja psikologjike e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku është përkeqësuar.

Sipas Nertila Haxhia, aktiviste për të drejtat e njeriut, publikimi i shpeshtë i detajeve mbi gjendjen e Simakut ka shkaktuar këtë.

“Mënyra se si është paraqitur është kontroverse. Publikimi i çdo momenti të saj ka qenë i panevojshëm. Duhej menaxhuar me më shumë kujdes dhe respekt ndaj saj. Ajo po dhunohet sërish, kësaj here jo nga individë, por nga masa”, u shpreh Nertila në emisionin “Kosova Today”.

Nga ana tjetër, psikologia Atifete Syla, e cilësoi rastin si një reflektim të një shoqërie sipërfaqësore që kërkon vëmendje.

“Kemi nevojë për vëmendje dhe kjo është arsyeja pse u bë kaq mediatike. Nevoja për të qenë në qendër dhe për të marrë merita ka shfrytëzuar rastin e saj për të bërë bujë. Për një nënë, më e rëndësishmja do të duhej të ishte takimi me djalin e saj, dhe kaq”, tha Syla.

Ndërkaq Ari Avdyli moderator i Radio Klan Kosova FM,  theksoi se çdo person që ka jetuar në sistemin e Enver Hoxhës sipas tij bartë trauma të thella.

“Ato ngjarje na tregojnë sa e vështirë ka qenë të jetohet në atë sistem. Parashqevi Simaku nuk është një rast i izoluar, por një pasqyrë e vuajtjeve të një brezi të tërë”, u shpreh Avdyli.

Shpërndaje në: