Konjufca falënderon Hovenierin për punën e tij në rritjen e bashkëpunimit SHBA-Kosovë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën në takim lamtumirës ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi, thuhet se në këtë takim Konjufca i ka shprehur mirënjohje Hovenierit për kontributin e tij në rritjen e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Kosovës, “me përkushtim ndaj ruajtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta”.
“Po ashtu, kryetari Konjufca nënvizoi se ashtu si gjatë mandatit të ambasadorit Jeffrey Hovenier, institucionet tona shtetërore do të jenë plotësisht të angazhuara, me konsideratë dhe mirënjohje të thellë, për të forcuar gjithnjë e më shumë raportet me aleatin tonë më të madh, SHBA-në, që ka një kontribut dhe rol të pazëvendësueshëm në vendin tonë”, thuhet tutje në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se Konjufca e ka përgëzuar ambasadorin për punën e tij të deritashme.