Ibrahimi: Komunat po shpenzojnë siç duhet, por Qeveria po dështon me mbështetje të pamjaftueshme
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka vlerësuar menaxhimin e buxhetit për investimet kapitale nga ana e Komunave, duke theksuar se përkundër sfidave nga institucionet qendrore, komunat kanë përformuar jashtëzakonisht mirë.
Ibrahimi ka përmendur se disa komuna kanë arritur të shpenzojnë 100% të buxhetit të dedikuar për investime kapitale, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për qytetarët.
“Përkundër sfidave nga institucionet qendrore, komunat kanë performuar jashtëzakonisht mirë në investimet kapitale dhe niveli qendror duhet t’i merr model komunave për planifikim. Kemi komuna që kanë arritur 100% të buxhetit për investimet kapitale dhe këto shkojnë në dobi të qytetarëve”, tha Ibrahimi për “Front Online”.
Ai ka shtuar se Qeveria, e cila ka lënë të pashpenzuara qindra miliona euro për investime, duhet të mësojë nga praktikat e mira të komunave për sa i përket planifikimit të buxhetit dhe menaxhimit të fondeve.
Ibrahimi gjithashtu ka kritikuar Qeverinë për mungesën e mbështetjes direkte për Komunat në zgjidhjen e problematikave, duke përmendur si shembull kontratat kolektive.
“Niveli qendror që disa vite nuk është duke shpenzuar me qindra miliona euro dhe kjo po ka ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarit në vend që t’i shfrytëzojnë mjetet për përkrahje të komunave me kontratën kolektive, ata hezitojnë që të ketë një përkrahje më drejtë për drejtë në zgjedhje të problemit. Kuvendi po ju merr shumë mjete financiare komunave”, shprehet Ibrahimi.