Arrestohen në Rinas 5 shtetas kosovarë, mbi 1 milion tableta barna kontrabandë dhe 300 mijë euro sekuestrohen

Arrestohen në Rinas 5 shtetas kosovarë, mbi 1 milion tableta barna kontrabandë dhe 300 mijë euro sekuestrohen

Pesë shtetas nga Kosova kanë rënë në duart e Policisë, pas një kontrolli në pikën kufitare të Rinasit, pasi është zbuluar se ata kanë transportuar mbi 1 milion tableta barna kontrabandë dhe u është sekuestruar po ashtu një shumë e madhe prej 300 mijë eurosh në zotërim.

Sipas një njoftimi zyrtar, është finalizuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Transit”.

Janë arrestuar në flagrancë pesë shtetas kosovarë të cilët do të futnin në RSh, barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 1 milion e 57 mijë e 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara (me peshë 417.1 kg), 300 mijë euro të cilat njëri prej të arrestuarve nuk i kishte deklaruar në PKK Rinas, si dhe 6 celularë.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.

Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani.

Medikamentet mjekësore, shuma 300 mijë euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Shpërndaje në: