Konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri – BE, Rama: Marshi ynë vazhdon
Ka nisur Konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri – Bashkim Evropian për hapjen e grupkapitullit të VI të negociatave.
Këtu përfshihen “Marrëdhëniet me jashtë”, me kapitujt negociues 30 dhe 31, përkatësisht “Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjendet në Bruksel së bashku me ninistrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të VI.
Konferenca ndërqeveritare i paraprin Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet ditën e nesërme, si dhe një sërë takimeve që Rama dhe ministrat e kabinetit do t’i zhvillojnë me përfaqësues të lartë të BE.
“Marshi ynë vazhdon. Jemi këtu për të ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe për të hapur një grupkapitull të ri, i cili është i rëndësishëm për planin tonë. Kjo sepse po bëhet sipas planit. Ne duhet të vazhdojmë përpara. Ambicia jonë është të hapim më shumë grupkapituj. Shpresojmë në pranverë dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grupkapitujt e hapur. Është një ditë e rëndësishme për vendin tonë dhe hap motivues”, tha Rama para nisjes së Konferencës.