Kurti nuk shkoi në Prokurori, flet Lekaj: Shmangie nga llogaridhënia, sjellja e tij dëmton imazhin e Kosovës
Mos përgjigjja në ftesën e Prokurorisë Speciale nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj ‘’interpretohet si shmangie nga llogaridhënia dhe një sinjal negativ për institucionet e drejtësisë’’, shkruan Periskopi.
Lekaj në një deklaratë dhënë për Periskopin kritikon vendimin e Kurtit për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale të hënën e 16 dhjetorit.
‘’Mosparaqitja e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale është një çështje e ndjeshme që ngre pyetje të rëndësishme për sundimin e ligjit dhe përgjegjshmërinë e udhëheqësve shtetërorë. Nëse një kryeministër refuzon të bashkëpunojë me drejtësinë, kjo mund të interpretohet si shmangie nga llogaridhënia dhe një sinjal negativ për institucionet e drejtësisë’’, u shpreh Lekaj.
Ai shprehet se sjellja e Kurtit ndaj organeve të drejtësisë mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës.
‘’Një sjellje e tillë mund të dëmtojë imazhin e Kosovës si një shtet që synon forcimin e rendit dhe ligjit, sidomos në kohën kur vendi po përballet me kritika nga partnerët ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve. Në anën tjetër, Kurti mund ta arsyetojë këtë si një qëndrim politik, duke sugjeruar që ftesa ka prapavijë politike. Megjithatë, në çdo rast, bashkëpunimi me institucionet mbetet thelbësor për të mbrojtur integritetin e demokracisë dhe sundimin e ligjit’’, tha Lekaj për Periskopin.
Ndryshe, ftesa i shkoi Kurtit disa muaj pas intervistimit të Ridvan Muharremit dhe Rozeta Hajdarit në cilësi të të dyshuarve për çështjen e rezervave shtetërore.
Qeveria e Kosovës njoftoi, por nuk sqaroi se për cilin rast e ftoi Prokuroria Speciale e Kosovës kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në datën 16 dhjetor.
Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.
Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.
Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.
Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.
Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.
Ndryshe, në thirrjen e Speciales thuhet se dëshmitari detyrohet t’i përgjigjet thirrjes më 16 dhjetor në orën 9:30.
“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro.
Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”./Zana Rugova / PERISKOPI/