​Pozitë e opozitë komentojnë emërimin e Grenell si i dërguar presidencial për misione speciale

​Pozitë e opozitë komentojnë emërimin e Grenell si i dërguar presidencial për misione speciale

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donal Trump ka emëruar Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione speciale. Opozita në Kosovë kanë komentuar një gjë të tillë, duke thënë se pushteti tashmë ka dëmtuar relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, tha se vendimet e presidentit të zgjedhur duhet të shihen si hap para drejt bashkëpunimit.

“Natyrisht që vendimet e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës raport me politikën dhe gjeo-strategjinë janë vendime që duhet shikuar hapat përpara në frymën e bashkëpunimit e jo në frymën e kundërshtisë. Mendoj që situata është dramatikisht më ndryshe në terren në Republikën e Kosovës me atë çfarë ka qenë në vitin 2020 dhe me marrëveshje të cilën janë arritur që ne prapë edhe sot e asaj dite vlerësojmë se ka mundur të ketë pasoja në veçanti për shembull ndarja apo menaxhimi i Liqenit të Ujmanit me Serbinë. Që e konsiderojmë dhe e kemi konsideruar edhe në atë kohë që është një cenim i sovranitetit të Republikës së Kosovës për projekt dhe për infrastrukturë vitale, të cilën Kosova dhe qytetarët e saj në sistemin e kaluar kanë paguar dhe e kanë në pronësi”, deklaroi jo.

Shefi i Grupit Parlamentar te PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar zgjedhjen e Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme.

“Unë besoj që Republika e Kosovës do të ketë një qeveri të re, një kryeministër të ri, siç është Bedri Hamza, i cili i ka dyert e hapura edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në State Departament. Dhe unë besoj shumë që Kosovës po i hapet një perspektivë e re edhe në raport me ShBA-të. Këta që tashmë po shkojnë kanë qenë jashtëzakonisht të papjekur, e kanë dëmtuar agjendën shumë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Tahiri.

Sa i përket deklarimeve të pozitës pas dorëzimit në Kushtetuese të dhjetëra ligjeve, Tahiri deklaroi se pushteti është nën masa dhe nuk i pyet askush.

“Ky pushtet i sanksionuar me i thënë këto është e palogjikshme, këta janë të sanksionuar. Ju imagjinoni prej qershorit të vitit 2023 ky është një pushtet i sanksionuar, janë nën masa, janë nën sanksione. Çfarë kuptimi ka agjenda ndërkombëtare. Janë vetëm figura, këta nuk t’i pyet askush për asgjë dhe janë krejt të pa rëndësishëm. Këtu vetëm një e mirë është që jemi në prag të zgjedhjeve dhe qeveria do ta ketë një kryeministër të ri, siç është Bedri Hamza”, përfundoi ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se emërimi i Grenell është vendim sovran i shtetit tjetër.

“Është vendim sovran i shtetit tjetër nuk kemi çka…normalisht që do të bashkëpunojmë me këdo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e caktojnë si përfaqësues të tyre për ndërmjetësimin e krizave nëse konsiderohet problemi në Ballkanin Perëndimor si problem krizash që hyn në fushëveprimtarinë e tij. Nuk jemi ne ata që përcaktojmë se kush do të jetë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj akuzoi pushtetin për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Zyrtarët amerikan kanë thënë se ne nuk kemi raporte me këtë qeveri, e kanë sanksionuar këtë qeveri dhe kemi raporte të mira me popullin e Kosovës. Besoj që do të vazhdojnë në këtë drejtim sepse për herë të parë në histori ka ndodhur që shqiptarët dhe gjithë ata ushtarët e facebook -ut të LVV-së i kanë atakuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i kemi aleatët kryesor, aleatë trandicional”, përfundoi deputetja e AAK-së. /rtv21/

Shpërndaje në: