Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar për skandalin e rezervave shtetërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është paraqitur për të dëshmuar sot në Prokurorinë Speciale lidhur me skandalin e rezervave shtetërore dhe dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në thirrjen e Speciales, Kurti detyrohet t’i përgjigjet thirrjes në orën 9:30, derisa tani ka shënuar ora 09:46 dhe kryeministri i vendit nuk është paraqitur në Prokurori.
Kjo ftesë i shkoi Kurtit disa muaj pas intervistimit të Ridvan Muharremit dhe Rozeta Hajdarit në cilësi të të dyshuarve për çështjen e rezervave shtetërore.
Qeveria e Kosovës njoftoi, por nuk sqaroi se për cilin rast e ftoi Prokuroria Speciale e Kosovës kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në datën 16 dhjetor.
Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.