Mustafa: Kurti e Osmani vazhdojnë të luajnë bixhoz me interesat e Kosovës, duhet gjetur rrugë të bëhemi segment i prioriteteve amerikane

Mustafa: Kurti e Osmani vazhdojnë të luajnë bixhoz me interesat e Kosovës, duhet gjetur rrugë të bëhemi segment i prioriteteve amerikane

Kosova duhet të gjejë rrugë bashkëpunimi për t’u bërë segment i prioriteteve të Administratës së re amerikane, meqë Donald Trump ka bërë të ditur se do t’i ketë prioritet disa vatra të tjera të krizës nëpër botë. Kështu ka thënë në një intervistë ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka potencuar se në katër vitet e ardhshme Kosova s’duhet të vegjetoj sa i përket raportit me Amerikën, meqë nëse ndodh diçka e tillë për një kohë, interesimi ndaj Kosovës mund të bie dhe raporti Kosovë-SHBA të degradohet.

“Kosova do duhej ta shfrytëzonte  qeverinë e Presidentit Bajden, e cila ishte proaktive ndaj vendit tonë. Trump ka proklamuara prioritete tjera dhe vatra tjera të krizës me të cilat do të merret qeveria e tij. Në këtë rast Kosova do duhej të gjejë rrugë bashkëpunimin për tu bërë segment i prioriteteve amerikane. Do të ishte e dëmshme nëse vegjetohet, sepse çdo vegjetim me kalimin e kohës pason me degradim të raporteve dhe me ulje të interesimit për vendin tonë”, është shprehur ish-kryeministri Mustafa.

Lidhur me raportet e Kosovës me aleatët dhe fqinjët, Mustafa thotë se Qeveria Kurti ka cenuar raportet me të gjithë, përfshirë edhe me Shqipërinë, shqiptarët në Maqedoni të Veriut e Luginë të Preshevës. Sipas tij, Kosovës i duhet një qeveri e cila me argumente afron qëndrimet me perëndimin dhe bashkëpunon me fqinjët.

Mustafa thekson se Perëndimi ka interes që ta ketë Kosovën në hemisferën e vetë, por Kosova ka shumë më shumë interesa të jetë krah shteteve perëndimore.

Mustafa shprehet se eksperimentimet për interesa të regjimit çojnë tek Bashar Al-Assadi.

“Jo vetëm me SHBA-të por edhe  me BE-në dhe vendet evropiane një nga një. Raportet janë cenuar me të gjithë, deri edhe me Shqipërinë, me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës. Kosova do duhej të ketë një qeveri e cila me argumente dhe sjellje të arsyeshme përafron qëndrimet me perëndimin dhe bashkëpunon me fqinjët. Perëndimi ka interesa ta ketë Kosovën brenda hemisferës së saj, por Kosova ka pafundësisht më shumë interesa që të jetë me shtetet perëndimore. Ndryshe eksperimentimet për interesa regjimi e çojnë ti bëjë shoqëri Asadit”, është shprehur ai për Express

Lidhur me fjalimin e fundvitit të presidentes Vjosa Osmani ku kjo e fundit tha se është luajtur bixhoz me aleancat e Kosovës, Mustafa ka thënë se s’pajtohet me atë konstatim, meqë sipas tij, bixhoz është luajtur me interesat e Kosovës. Ish-kryeministri Mustafa thotë se aleatët s’janë prekur fare nga bixhozllëku i Kosovës, meqë e kanë sanksionuar.

“Deri te fjalimi i fundvitit i Vjosa Osmanit në Kuvend, çdo gjë që ka bërë Kurti, e ka bërë së bashku me Vjosën. Por s’do të pajtohesha se kanë luajtur bixhoz me aleancat e vendit. E vërteta është se po vazhdojnë të tallen e të luajnë bixhoz me interesat e Kosovës, Kurti duke e manipuluar pozitën e Osmani duke tentuar ta manipulojë opozitën për interesa pushteti. Aleatët s’janë dëmtuar nga bixhozllëku ynë, veç se e kanë sanksionuar”, ka përfunduar ish-kryeministri Isa Mustafa.

Shpërndaje në: