Tre prej policëve të lënduar po trajtohen në QKUK, Vitia: Gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se tre nga tetë policët që u lënduan në aksidentin me autoblindë në veri të vendit, po trajtohen në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Vitia ka bërë me dije se i ka vizituar të njëjtit dhe se gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“|Nga tetë policët e lënduar sonte në aksident, pesë janë liruar në shtëpi kurse tre gjenden në Klinikën Emergjente në QKUK. I vizitova sonte dhe mjekët më njoftuan se gjendja e tyre është stabile dhe për momentin jashtë rrezikut për jetë”, shkroi Vitia.
Ai tha se njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të tranferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë.
“I gjithë stafi në spitalin e pergjithshëm në Mitrovicë dhe Klinikën Emergjente në QKUK janë mobilizuar duke reaguar shpejt dhe në menyrë profesionale. I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë secilit!”, shkroi Vitia.
Rastin e ka konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00.
“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca. Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, deklaroi mbrëmë Elshani.