Policia jep detaje: Autoblinda e aksidentuar në veri dyshohet se ka rrëshqitur nga rruga
Një aksident i rëndë ka ndodhur në veri të Kosovës, ku një autoblindë e Policisë është aksidentuar, duke shkaktuar lëndimin e tetë zyrtarëve policorë, shkruan Periskopi.
Siç e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani për Periskopin aksidenti ka ndodhur në fshatin Graboc të Leposaviqit, pasi dyshohet se vetura zyrtare ka rrëshqitur nga rruga.
“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca.”- tha ai për Periskopin.
Kelani tha se policët e lënduar kanë pranuar tretman mjekësorë.
“Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, u shpreh Kelani./Periskopi