“Gylenistët”, Apeli kthen në rigjykim lëndën e ish-shefit të AKI-së i dënuar me burgim nga shkalla e parë, Driton Gashi
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim lëndën e ish-Shefit të AKI-së, Driton, Gashi, i cili ishte dënuar në korrik 2023 me 4 vite e 8 muaj burgimnga Gjykata Themelore në Prishtinë nën akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në rastin e “Gylenistëve”. Në këtë rast, Gashi akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejtë në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore.
“APROVOHET e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit D.G., avokat F.L., ashtu që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.8/21, i datës 07.09.2023, në pikën I. të dispozitivit të tij, sa i përket veprës penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së, ndaj të akuzuarit D.G., anulohet, dhe kjo pjesë e aktgjykimin kthehet në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, i nxjerrë më 13 dhjetor 2024 që është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
“Pretendimet ankimore të mbrojtësit të akuzuarit D.G., avokat F.L. për gjendjen faktike, shkeljen e ligjit penale dhe vendimit mbi dënimin për pikën I. të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, konsiderohen jo lëndore”, thuhet më tej në aktgjykim.