NPB nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Shkollat Profesionale për Punë Praktike
Prishtinë, 12.12.2024 – Sot, Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore, z. Arton Berisha, nënshkroi tre memorandume bashkëpunimi me shkollat profesionale të kryeqytetit për të mundësuar zhvillimin e praktikës profesionale për nxënësit e këtyre shkollave.
Ky bashkëpunim u formalizua në një ceremoni zyrtare, ku morën pjesë edhe Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës dhe Drejtoresha për Arsim, znj. Jehona Lushaku, e cila falenderoj NPB-në për kontributin e dhënë për përgatitjen e shkollave me qëllim të implementimit të mësimit tërëditor, dhe punën e vazhdushme që po e bënë NPB në mirëmbajtjen e institucioneve arsimore.
Pas kontributit të NPB-së në renovimin dhe mirëmbajtjen e shkollave të kryeqytetit, ky memorandum paraqet një hap tjetër për të mbështetur zhvillimin profesional të të rinjve. Në bazë të këtij bashkëpunimi, nxënësit do të kenë mundësinë të zbatojnë njohuritë teorike në praktikë pranë NPB, duke përfshirë:
- Projektimin e punimeve,
- Prodhimin e materialeve,
- Implementimin e projekteve në terren, dhe
- Mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore.
Këto përvoja praktike janë të një rëndësie të madhe për të pajisur nxënësit me njohuri dhe aftësi që do t’i ndihmojnë ata të jenë asete të çmuara për tregun e punës në të ardhmen.
NPB mbetet e përkushtuar në kontributin e saj për zhvillimin e komunitetit, përfshirë edhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë. Përmes kësaj nisme, ndërmarrja synon jo vetëm të fuqizojë bashkëpunimin me shkollat, por edhe të ndikojë pozitivisht në përgatitjen profesionale të gjeneratave të reja.
NPB do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm në projekte që i shërbejnë zhvillimit të qytetit dhe përgatitjes së një fuqie punëtore profesionale dhe të aftë për sfidat e tregut të punës.