Veliaj kërkesë në gjykatë, kundërshton veprimet e SPAK-ut
Pas kontrolleve në shtëpinë e të vëllait dhe sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes, mësohet se Kryetari i Bashkisë së Tianës Erion Veliaj me anë të avokatëve të tij, ka depozituar një kërkesë në gjykatë, ku përmes saj kundërshtohen veprimet e SPAK-ut.
Dy ditë më parë, përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Veliaj ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me hetimet dhe kontrollin e të premtes nga BKH-ja, ku mes rreshtave shpreh hapur edhe pakënaqësinë ndaj SPAK, duke thënë se i shkuan për kontroll në banesë pa një vendim gjykate.
“Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situatë të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kush e di se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radhët e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve. Kjo është e gjithë ngjarja, e cila tregoi se as jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre”.
Erion Veliaj thotë në reagim se nuk ka pasuri të fshehura dhe abuzim me detyrën, por edhe pse mund të ketë pakënaqësi ndaj SPAK në lidhje me hetimin ndaj tij, shton se është i hapur ndaj çdo hetimi. “Më pëlqen a s’më pëlqen kjo që po ndodh aktualisht në raport me mua dhe a më duken a s’më duken, mua personalisht, të drejta të gjitha veprimet e SPAK-ut ndaj meje e familjes time, kjo nuk ka pikë rëndësie për mua institucionalisht. Prandaj, jo vetëm nuk i kundërvihem në asnjë formë veprimtarisë së prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut, por e mirëpres që ta kryejnë deri në fund, siç e mendojnë, detyrën e tyre.”, shkroi Veliaj.