Komuna e Prishtinës alarmoi për mungesën e veturave, Kryeministria bën zgjidhje për vete – i merr me qira 15 sosh
Një ditë pasi Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, alarmoi se Komuna e Prishtinës ka mbetur pa automjete si pasojë e skadimit të kontratës së Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se e ka zgjidhur këtë problem për vete.
Ditën kur ka skaduar kontrata e AQP’së, ZKM ka dhënë tender në vlerë gati 100 mijë euro për marrjen e 15 veturave me qira. Me këtë tender është shpërblyer kompania “Mercom Auto SH.P.K”, për vlerën totale 98 mijë e 820 euro, raporton Express.
Këto vetura janë marrë me qira për një perudhë prej 12 muajsh. Në dosjen e tenderit theksohet se veturat duhet të dorëzohen maksimalisht 15 ditë nga dita e nënshkrimit të kontratës dhe se të gjitha duhet të jenë të të njëjtit lloj dhe me ngjyrë të njëjtë. Kontrata është planifikuar të nënshkruhet nesër.
“Gjatë kohëzgjatjes së kontratës kontraktuesi do të ofrojë automjetet në shfrytëzim pa asnjë kufizim për kilometra të kaluara gjatë tërë periudhës së përmendur, pra kilometra te pa kufizuara gjatë periudhës se qiramarrjes”, thuhet në dosje.
Kompania fituese duhet të kryejë edhe kontrollimin teknik, sigurimin duke përfshirë edhe KASKO brenda territorit të Kosovës, regjistrimin dhe vendosjen e tabelave zyrtare, të bëjë servisimin e rregullt sipas nevojave, furnizimin dhe ndërrimin e gomave verore dhe dimërore, mirëmbajtjen dhe riparimin dhe çdo shpenzim tjetër gjatë periudhës së kontratës dhe rregullimin e dëmtimeve.
Në rast të defektit të automjetit, kompania obligohet ta zëvendësojë automjetin jo më larg se dy ditë pune.
“ Ne rast se automjeti është i dëmtuar dhe nuk mund te aftësohet për komunikacion atëherë zëvendësohet prej kontraktuesit me automjet tjetër të tipit të njëjtë dhe jo më të vjetër se viti i veturës së dëmtuar.
Kontraktuesi mund të vendos gomë rezerve me pajisjet përcjellëse dhe në rast te dëmtimit te gomës shoferi i veturës e ndërron gomën dhe e dërgon veturën sa me parë tek kontraktuesi apo kontraktuesi mundet te mos vendos gomë rezerve dhe ku do qe te dëmtohet goma shoferi do te informoj kontraktuesin dhe i njëjti duhet te dërgoj ekipin e tij për ndërrimin e gomës për maksimum 2 orë, kjo pike vendoset ne marrëveshje mes kontraktuesit dhe autoritetit dhe nëse nuk mund te arrijnë marrëveshje vlen zgjidhja te cilën e kërkon autoriteti”, specifikohet në dosje.
Ndryshe, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i bëri thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje për punën e veturave.
Rama e fajësoi Ministrinë e Financave se i ka lënë pa vetura.
“Kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP), që vepron nën Ministrinë e Financave ka skaduar me 6 dhjetor. Kjo kontratë përfshinte institucione qendrore dhe lokale, përfshirë Komunën e Prishtinës, e cila kishte marrë me qira 76 vetura. Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca”, ka shkruar Rama.
Rama tha se mungesa e mjeteve për operim përben rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike.
“Komuna i bën thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, përgjegjësi kjo e AQP-së. Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike! Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike. Trajtimi i interesit publik kërkon prioritet!”, shkroi Rama.