Vlora Çitaku viziton Hashim Thaçin në Hagë: Burrë që ka mbajtur mbi supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli
Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku ka vizituar ish presidentin, Hashim Thaçin në Hagë.
Ajo tha se vizitoi burrin që ka mbajtur në supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli.
Çitaku tutje tha se asnjë gjykatë nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e një lufte të drejtë për liri.
Postimi i plotë:
Sot, udhëtova edhe një herë drejt Hagës për të vizituar një burrë që ka mbajtur mbi supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli, të një shteti, Presidentin Hashim Thaçi.
Unë, posaçërisht këtë herë, isha e prekur thellë nga zhvillimet e fundit me procedurën gjyqësore, ndërsa besimi i palëkundur i Presidentit Thaçi në drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës shkëlqente më fort se kurrë, edhe brenda këtyre mureve.
Një gjë, le të jetë e qartë për të gjithë: Hashim Thaçi mishëron shpirtin e luftës sonë për liri e pavarësi, guximin e atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe besimin e patundur se e vërteta gjithmonë triumfon.
Sot, si gjithmonë, ai qëndron i fortë, duke mbrojtur nderin dhe dinjitetin e popullit tonë.
Rruga e Kosovës drejt lirisë nuk ishte kurrë e lehtë, por ishte gjithmonë e drejtë. Asnjë gjykatë nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e një lufte të drejtë për liri.
Ne mbetemi të palëkundur, pranë tyre dhe të përkushtuar për drejtësi.
Për Hashimin. Për Kadrinë. Për Çlirimtarët tanë. Për Kosovën.