Dreshaj: Komisioni hetimor gjeti se tekstet shkollore u paguan dyfish më shtrenjtë, mbi 6 milionë euro ishin pa adresë

Dreshaj: Komisioni hetimor gjeti se tekstet shkollore u paguan dyfish më shtrenjtë, mbi 6 milionë euro ishin pa adresë

Shemsedin Dreshaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), teksa foli për komisionin për tekstet shkollore, the se janë përballur në vazhdimësi më mungesë të kuorumit. Ai tha se më 26 korrik janë konstatuar shkeljet dhe dështimet të cilat janë në raportin e komisionit, për çka tha se edhe është përcjellë në Prokurori.

“Dyfishimi i çmimit për tekste shkollore, mbi 6 milionë euro ishin pa adresë. U konstatu që te një pjesë e konsiderueshme komunave ka përfunduar viti shkollor dhe nxënësit nuk kanë marrë tekstet deri në fund të vitit. DKA me plot vërejtje”, tha ndër të tjera ai.

Ai ka thënë se pozita duhet të krijojë kushte që opozita të bëjë punën e saj, duke thënë se shumë komisione hetimore nuk janë lejuar të formohen.

“Arroganca e numrave këtë nuk e lejon. Në këtë mandat jemi ofenduar keq”, u shpreh ai.

Dreshaj tha se jenë ofenduar edhe që nuk po dinë të bëjnë opozitë dhe se u është thënë “ejani t’ju mësojmë se si bëhet”. Ai shtoi se edhe pozita nuk i është përgjigjur as pyetjeve parlamentare.

“Kemi ardhë në atë situatë të një arrogance që nuk pranojnë me na dhanë përgjigje në pyetje parlamentare, pozita nuk i jep llogari Kuvendit të Kosovës”, shtoi ai.

Dreshaj tha se një prej objektivave kryesore është promovimi i një demokracie pluraliste, por që në këtë mandat kanë pasur bllokim dhe jo mbështetje.

Të gjitha këto, tha se janë përmbyllë me një skandal tjetër, kur ishte filluar të bojkotohet opozita në këto komisione, duke thënë se mbaheshin pa anëtarë të opozitës.

Ai tha se këtë draft e kanë dërguar tek Kryeparlamentari dhe Prokuroria, sipas rekomandimeve të ekspertëve të cilët kanë gjetur shkelje procedurale, duke thënë se mund të ketë bazë edhe për ndjekje penale.

Në anën tjetër, shtoi se shumica e komisioneve hetimore duhet te jenë të formuara nga opozita dhe jo pozita, ngase nëse shumicën e ka pozita gjasat janë minore që të ketë një trajtim të duhur.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të mërkurën organizoi tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit me titull: “Mos efikasiteti i hetimit parlamentar (Mungesë e vullnetit dhe problemet ligjore)”.  Ky aktivitet organizohet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL, INPO) me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: