MASHT pas takimit me SBASHK-un: Pagat e mësimdhënësve janë të rregulluara me ligj
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot ka pritur në takim kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe përfaqësues të tjerë të sindikatës.
Përmes një njoftimi, MASHT ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi u diskutuan tema që lidhen me nismat e ndërmarra së fundi në arsimin parauniversitar, përfshirë temat e ngritura nga SBAShK-u.
“Dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje në kolektivat e mësimdhënësve nëpër shkolla, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim.
Siç dihet, gjatë qeverisjeve të kaluara, në periudha zgjedhore, janë nënshkruar marrëveshje të shumta me sindikatën, të cilat kanë prodhuar pasoja juridike me të cilat institucionet tona vazhdojnë të përballen. Prandaj, një gabim i tillë nuk do të përsëritet”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sa i përket çështjes së pagave, MASHT thotë se kjo është e rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit.
“Çështja e pagave për mësimdhënësit është rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik (08/L-196) dhe përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit. Rrjedhimisht, rritja e koeficientit përfshin edhe mësimdhënësit”, shkruhet mes tjerash në njoftim.