VV-ja e çon në KQZ “luftën hibride”, Alban Krasniqi i VV-së sulmon Ismet Kryeziun e KDI-së
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, ka reaguar ndaj drejtorit ekzekutiv të KDI-së, Ismet Kryeziu, të cilin e quajti “njeri i PDK-së”.
Për këtë të fundit, Krasniqi tha se ka shpërndarë dezinformata të qëllimshme, me rastin e publikimit të vlerësimit të periudhës së parafushatës, ndërhyrjeve të Qeverisë, shfrytëzimin e burimeve publike për qëllime elektorale.
“Aktet terroriste kanë impakt edhe në proces zgjedhor, sepse kanë impakt në sigurinë e njerëzve, pra krijojnë një lloj pasigurie dhe ne duhet ta japim kontributin në këtë drejtim, e që ne fatkeqësisht po i kontribuojmë komplet shtrirjes apo zgjerimit të dezinformimit dhe si po e bëjmë këtë? Po e bëjmë duke dërguar dezinformata tek mediat, tek opinionistët e caktuar të cilët me apo pa vetëdije dalin e japin qëndrime të shtrembëruara, informata të shtrembëruara, gjëja që MPJD-ja po përzihet në kompetencat e KQZ-së. U përmend edhe memorandumi dhe unë kam kërkuar reagim sepse është prekë padrejtësisht një institucion këtë rast i Qeverisë së Kosovë se kinse ai institucion është duke tentuar (ndërhyrje) se ideatorët nuk janë këtu, ju jeni vetëm zbatues se qifti i Ismet Kryeziut të KDI-së që është i afërt botërisht me PDK-në, nuk ka sekret ajo farë pune dhe i cili del edhe shpërndanë dezinformata me një analizë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka kërkuar nga Demokracia në Veprim që të tregojë se kush e ka mbështetë publikimin e titulluar “Përgatitjet parazgjedhore, dinamikat dhe trendet e parafushatës”.
“Nuk më intereson çështja e fushatës apo para fushatës sepse edhe aty është një lloj dezinformimi që e ka bërë edhe për juve përfaqësues indirekt të partive politike mbi parafushatën. Në një publik që e ka bërë Demokracia në Veprim, e cila veç si emër ekziston sepse as faqja nuk ju funksionon, sepse edhe publikimi, ndonëse e kanë shkruar që është mbështetur nga një donator, kur iu bën pyetje se kush është ai që u ka mbështetë, kush është donatori që u ka mbështet në këtë publikim, ata nuk e bëjnë publike, që ta dimë. A është PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja a është VV-ja, ta dimë se kush e paska mbështetë atë publik që e kanë gatuar si bukë furre, sepse referencat e publikimit i kanë me dy apo tri ditë përpara ngjarjes që ka ndodh, ata e kanë bërë analizën edhe ka dalë i gatuar si një publikim i sajuar por i cili përmban nivele të larta të dezinformimit qytetarëve”, u shpreh Krasniqi.