Peci nuk e jetësoi amanetin e Rugovës për bukën e motmotit: Kosova për dy vjet importoi afro 70 mln euro grurë e miell

Peci nuk e jetësoi amanetin e Rugovës për bukën e motmotit: Kosova për dy vjet importoi afro 70 mln euro grurë e miell

“Amaneti i Rugovës për sigurimin e bukës së motmotit u jetësua këtë vit”, kështu deklaroi sot ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pasi bëri homazhe tek varri i ish-Presidentit Rugova. Por, një gjë është e sigurt – Peci ka harruar që veç këtë vit – Kosova ka importuar afro 100 mijë ton grurë e misër, që në vlerë totale i bie mbi 25 milionë euro.

Enis Rrustemi, Periskopi

Sipas të dhënave që ka siguruar Periskopi nga Dogana e Kosovës, nga fillimi i këtij viti e deri më datë 12.11.2024, janë importuar mbi 84 mijë tonë grurë dhe mbi 12 mijë ton miell.

Ndryshe, në vitin 2023 – numri është edhe më i madh.

Kosova ka importuar 140 mijë ton grurë dhe 15 mijë ton miell. E që, në total kap vlerën e 43 milionë euro.

Në bazë të këtyre të dhënave dhe statistikave të dhëna nga ministri Peci, del se Kosova nuk i ka përmbushur diku më shumë se 60-65 për qind të nevojave me grurë nga toka jonë.

Vlen të theksojmë se edhe kryeministri Kurti gjatë një vizite me Pecin në fshatin Bubavec të Malishevës, aty ku edhe i hipi kombanjës, përderisa Peci arriti të afrohej veç deri te dera – deklaroi se “këtë vit s’do të ketë nevojë për import”. Por, ndryshe doli të jetë edhe për këtë vit.

“Nga korrje-shirjet sivjet, duket që prodhimi do të shtohet për 140 deri në 150 mijë tonë grurë, ndërkohë që më 2023 janë importuar 139 mijë tonë grurë. Pra, këtë vit, nuk do të ketë nevojë për import. Buka jonë, në sofrën tonë, nga toka jonë. Për fermerët, bujqësinë e zhvilluar dhe bukën e mot-motit!”, shkruante Kurti në profilin e tij. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: