Hacker për sulmin në Iber- Lepenc: Ngjason me veprimet ruse në Ukrainë, duhet hetim i paanshëm
Deputeti i FDP Thomas Hacker, i cili është përgjegjës për Ballkanin Perëndimor në këtë parti dhe anëtarë i Komisionit për politike te Jashtme në Bundestag, ka thënë se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike në “Iber- Lepenc”, ngjason me veprimet ruse në Ukrainë. Ndërsa ka kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm.
Hacker po ashtu e ka quajtur të turpshëm faktin që dhe organizatori i dyshuar i sulmit në Banjskë, është ende duke shijuar lirinë e tij në Serbi.
„Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të #Kosovës ngjason me veprimet ruse në Ukrainë. Ky sulm tinëzar kërkon një hetim të plotë dhe të paanshëm. Fakti që organizatori i dyshuar i sulmit në Banjska është ende duke shijuar lirinë e tij në #Serbi është një turp, por fatkeqësisht, nuk është ndonjë surprizë e madhe”, ka shkruar Hacker në platformën X.
E lidhur me këtë deklaratë ka reaguar ambasadori i Kosovës në Gjermani Faruk Ajeti, i cili ka falenderuar Thomas për deklaratat e tij, lidhur me sulmet terroriste në veri.
“Shkurt dhe qartë – faleminderit Thomas”, ka shkruar Ajeti në Facebook. Ndërsa ka ndarë dhe deklaratat e Hacker, të cilat i ka bërë lidhur me sulmet terroriste në veri.