Enver Hasani letër institucioneve të UP’së: Rektori Arben Hajrullahu fitoi thirrje akademike duke votuar tri herë për vetën

Enver Hasani letër institucioneve të UP’së: Rektori Arben Hajrullahu fitoi thirrje akademike duke votuar tri herë për vetën

Enver Hasani Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Ish -Rektor i Universitetit të Prishtinës ka reaguar pas mbledhjes së Senatit të UP’së që është mbajtur të mërkurën e kaluar.

Në atë mbledhje është vendosur që të hetohet ngritja akademike e ish -rektorëve të UP’së në Kosovën e pasluftës, përfshirë edhe rektorin aktual Arben Hajruallahu. Ky i fundit gjatë mbledhjes rreth dy orëshe ka lakuar më së shumti emrin e Hasanit duke u kërkuar senatorëve që të votojnë për degradimin pasi sipas tij Hasani e ka fituar në mënyrë jo të rregullt.

Por në një letër dërguar Rektorit, Senatit, MASHT dhe institucioneve tjera në vend Hasanit thotë se “rektori Hajrullahu nuk ka të drejtë të prek aktet juridike të vendosura sipas ligjit të vjetër”.

Hasani thotë se rektori Hajrullahu në Katedrën e Shkencave Politike ka marrë pjesë dhe ka votuar për vetveten, me qëllim të avancimit të tij në thirrjen e profesorit të rregullt (sic!).

“Në fakt, ai ka marrë pjesë, ka udhëhequr dhe ka votuar edhe në Katedrën e Shkencave Politike, duke ndikuar në formimin e komisionit të tij recensues, në përcaktimin e numrit të orëve dhe në aspekte të tjera të procesit që më pas kanë kaluar për miratim në Këshillin e Fakultetit dhe tutje në Senatin e Universitetit të Prishtinës, siç u përshkrua më sipër” shkruan Hasani.

“Kjo rrethanë e bën rektorin Hajrullahu tërësisht të padenjë për postin e rektorit dhe për çdo funksion që lidhet me etikën e profesorit universitar. Për të pastruar emrin e tij dhe për t’u siguruar që ky proces është i ligjshëm dhe i pastër, rektori Hajrullahu duhet të dërgojë vetë këtë çështje në APK, që ky institucion i specializuar të japë mendimin dhe vlerësimin e tij për këtë situatë”.

Në vijim letra e plotë që ka ardhur edhe në adresë të Gazetës Express:

I nderuar rektor Hajrullahu,

Të nderuar anëtarë të Senatit,

Letra që keni përpara ka tri dimensione: civil, penal dhe administrativ (me elemente civile dhe penale).

Dimensioni i parë ka të bëjë me një çështje personale, që mund të zgjidhet vetëm përmes një padie gjyqësore. Më konkretisht, në mbledhjen e Senatit të datës 27 nëntor 2024, rektori Hajrullahu, pa asnjë arsye, fyeu dhe ofendoi rëndë dinjitetin tim personal, atë të ish-rektorit Qerim Qerimi, të të gjithë anëtarëve të Katedrës Ndërkombëtare dhe të komunitetit juridik të Kosovës në tërësi. Për këtë arsye, kam vendosur të paraqes një padi gjyqësore kundër rektorit Hajrullahu në ditët në vijim, me qëllim që të vendos drejtësinë në vend. Heshtja përballë një sjelljeje të tillë, e papranueshme dhe nën çdo nivel të duhur për një rektor universiteti, do të ishte në kundërshtim me natyrën e karakterit tim dhe me profilin tim social e intelektual.

Sapo të protokolloj padinë në gjykatën kompetente, do t’ju njoftoj duke ndarë detajet përkatëse.

Sa i përket kolegëve të tjerë, ata janë të lirë të vendosin për hapat që do të ndërmarrin, nëse zgjedhin të veprojnë në lidhje me këtë çështje.

Sjellja e rektorit Hajrullahu në mbledhjen e Senatit të datës 27 nëntor 2024 ka gjithashtu një dimension penal, i cili, megjithëse aktualisht duket i paqartë, përmban pa dyshim disa elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Këto elemente, në vartësi të sjelljeve të mëtejshme të rektorit Hajrullahu, mund të plotësohen dhe të marrin formë të plotë në të ardhmen.

Si qytetar lojal i këtij vendi dhe ish-zyrtar i lartë i Shtetit të Kosovës — duke përfshirë detyrat si ish-rektor, dekan, shef i parë dhe themelues i Departamentit të Shkencave Politike, si dhe poste të tjera të rëndësishme të mbajtura jashtë vendit në emër të Kosovës — e konsideroj të domosdoshme ta informoj rektorin Hajrullahu për drejtimin që duhet ndjekur.

Me fjalë të tjera, qëllimi i këtyre rreshtave është të vetëdijësohet rektori Hajrullahu për pasojat e mundshme të sjelljeve të tij në të ardhmen, të cilat, objektivisht, mund ta vendosin atë në zonën penale. Kjo për faktin se premtimi i tij — nëse zbatohet deri në fund — për formimin e një komisioni që do të vlerësojë aktet juridike të nxjerra sipas ligjeve të vjetra përbën qartazi një vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Një veprim i tillë do të cenonte seriozisht sigurinë juridike, një element thelbësor i sundimit të ligjit në Kosovë. Ky argument do të shpjegohet në detaje më poshtë.

Ajo rrugë që mëton të ndjek rektori Hajrullahu, nga ai vetë u cilësua si “rikthim i ligjshmërisë në UP”, duke u bazuar në Ligjin Nr. 05/L -031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative i vitit 2016, aktualisht në fuqi (më tej: “Ligji Nr. 05/L-031”). Ky ligj, në nenin e vet 157 thotë sa vijon: “Përfundimi i procedurave të filluara dhe të papërfunduara në datën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, do të vazhdojnë sipas dispozitave të mëparshme ligjore, që kanë rregulluar procedurën administrative”.

Me “dispozita të mëparshme ligjore” nënkuptohen dispozitat e Ligjit Nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative të vitit 2007 (në vijim: “Ligji Nr. 02/L-28”). Ky ligj bën një dallim të qartë ndërmjet pavlefshmërisë relative dhe pavlefshmërisë absolute — një dallim që rektori

Hajrullahu duket se e ngatërron, duke i trajtuar këto dy kategori si të barasvlershme. Aktet e përlyera me pavlefshmëri relative mund të sfidohen vetëm brenda afateve të përcaktuara kohore, të cilat janë të parashikuara nga ligji. Kjo ndodh sepse shkeljet në këto raste konsiderohen të shërueshme brenda një kohe të caktuar përmes mjeteve juridike të disponueshme.

Ndërsa aktet e përlyera me pavlefshmëri absolute nuk kanë kufizime kohore për t’u sfiduar.

Këto akte konsiderohen të pavlefshme nga vetë natyra e tyre për shkak të shkeljeve të rënda dhe thelbësore të ligjit, si në rastet e mashtrimit, konfliktit të hapur të interesit, përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, ose të tjera shkelje që e bëjnë aktin juridik të papranueshëm nga fillimi. Ky dallim është thelbësor për të kuptuar se cilat akte mund të prishen dhe në çfarë rrethanash, duke respektuar parimet e sigurisë juridike dhe sundimit të ligjit.

Në fakt, ajo për të cilën fliste rektori Hajrullahu lidhet me aktet e pavlefshmërisë relative, dhe jo me aktet që ai i quante arbitrarisht “akte të pavlefshmërisë absolute” kur përfshinte vendimin për avancimin tim në këtë kategori. Ky interpretim është krejtësisht i pasaktë. Rektori Hajrullahu gabimisht barazon aktet administrative të periudhës para hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-031 me ato të nxjerra gjatë periudhës kur zbatohej Ligji Nr. 02/L-28.

Në mënyrë të përmbledhur: aktet e pavlefshmërisë relative, të cilat janë rregulluar sipas Ligjit Nr. 02/L-28, nuk mund të preken. Çdo ndërhyrje në këto akte sjell përgjegjësi penale të drejtpërdrejtë për ata që i shfuqizojnë ose i anulojnë. Për këto akte, ligji nuk lejon asnjë veprim të tillë.

I bëj me dije rektorit Hajrullahu se për rastin tim zbatohet në mënyrë ekskluzive neni 91 i Ligjit Nr. 02/L-28, dhe asnjë ligj tjetër. Ky nen përcakton qartë pavlefshmërinë relative, duke vendosur afate dhe procedura të përcaktuara mirë për sfidimin e akteve administrative me këtë karakter.

Aktet e nxjerra në përputhje me nenin 91 të Ligjit Nr. 02/L-28 mbartin natyrën e pavlefshmërisë relative dhe nuk mund të sfidohen në asnjë rrethanë nga Senati i Universitetit të Prishtinës apo nga ndonjë autoritet tjetër në këtë vend.

E theksoj këtë, sepse rektori Hajrullahu duket se nuk bën dallim midis pavlefshmërisë relative dhe pavlefshmërisë absolute. Ai gabimisht mendon se mund të formojë komisione në mënyrë arbitrare për të vendosur mbi çështjet që lidhen me pavlefshmërinë relative, gjë që është plotësisht në kundërshtim me ligjin në fuqi.

I vetmi përjashtim i mundshëm është kur shkeljet e ligjit kanë natyrën e pavlefshmërisë absolute, siç janë, për shembull, rastet kur zbulohet se dikush ka përdorur një doktoratë të falsifikuar (siç është rasti me Avni Pukën, vartësin e rektorit Hajrullahu, i cili ka përdorur një diplomë të pavlefshme pa pasur nostrifikim nga NARIC-u i MASHT-it për të u avancuar në thirrjen aktuale), ose kur një disertacion konsiderohet si plagjiaturë, si dhe raste të ngjashme që rregullohen nga Ligji Nr. 05/L-031. Në këto raste, nuk ka afat kohor për anulimin e akteve të tilla nga organet kompetente. Në raste të tilla, rivendosja e ligjshmërisë nënkupton aktivizimin e mekanizmave shtetërorë, ku Senati është një nga hallkat kyçe të këtij procesi të rivendosjes së ligjshmërisë.

Senati, në asnjë rast, nuk ka kompetencën të vlerësojë ligjshmërinë e akteve juridike që janë relativisht të pavlefshme dhe që janë vendosur dhe shpallur në përputhje me Ligjin Nr. 02/L-28. Këto akte përfshijnë edhe ato që lidhen me akuzat e pavërteta të bëra nga rektori Hajrullahu lidhur me avancimin akademik të autorit të këtyre rreshtave. Ai tha se, po parafrazoj lirshëm, njëherë po ia marrim thirrjen akademike dhe pastaj ia kthejmë, sepse ai (pra unë) do të konkurroj përsëri dhe do ta rifiton të njëjtën thirrje, pasi e meriton (sic!). Kjo është një situatë tërësisht absurde nga pikëpamja e ligjshmërisë.

Po e bëj këtë sqarim për t’i treguar rektorit Hajrullahu se interpretimi i tij i datës 27 nëntor 2024 e çon atë direkt në një vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai po i jep vetes të drejtën për të ushtruar kontrollin mbi ligjshmërinë e akteve juridike të nxjerra sipas një ligji që tashmë nuk është në fuqi dhe që përfshin çështje të pavlefshmërisë relative. Këto veprime janë pjesë e veprës penale që është në proces të zhvillimit nga ana e rektorit Hajrullahu, siç u përmend më sipër.

E thënë ndryshe, në mënyrë të përmbledhur, rektori Hajrullahu nuk ka të drejtë të prek aktet juridike të vendosura sipas ligjit të vjetër. Senati i tanishëm nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë e punës së senateve të mëparshëm. Kjo përbën një vepër të pastër penale. Sipas Ligjit Nr. 05/L- 031, Senati, së bashku me organet shtetërore, mund të ndërmarrë veprime vetëm në rastet kur bëhet fjalë për akte administrative që kanë pavlefshmëri absolute, siç ishte rasti i përdorimit të diplomës të falsifikuar për avancim nga zoti Avni Puka, disertacioni i konstatuar si plagjiaturë dhe çdo rast tjetër ku shkelja është e tillë që nuk mund të shërohet me mjete juridike standarde brenda një periudhe të caktuar. Çdo veprim i rektorit Hajrullahu me qëllim të ndryshimit të akteve juridike të vendosura në përputhje me nenin 91 të Ligjit Nr. 02/L-28, i cili tani nuk është më në fuqi, përbën një vepër të pastër penale.

Ligji që rektori Hajrullahu citoi atë ditë është Ligji Nr. 05/L-031. Megjithatë, arsyetimet për zbatimin e këtij ligji ishin plotësisht arbitrare dhe pa asnjë bazë ligjore. Faktikisht, ato ishin arsyetime të natyrës morale, të cilat nuk kanë asnjë vlerë juridike. Sipas Kushtetutës së Kosovës, vendi ynë është një shoqëri ku sundon ligji dhe ku ka një ndarje dhe balancim të pushteteve.

Rektori i një universiteti publik në Kosovë nuk është, dhe nuk mund të jetë, një pushtet në vetvete! Çdo rektor duhet të jetë nën sundimin e ligjit. Nëse rektori Hajrullahu dëshiron dhe insiston të bëhet gardian i moralit publik, ai në këtë rast kalon përtej terrenit të ligjit dhe hyn në fushën e arsyetimit moral. Por për ta bërë këtë, ai duhet të jetë një shembull i denjë për këtë rol: një figurë udhëheqëse, me integritet dhe i përgjegjshëm, sepse paguhet nga taksat tona si udhëheqës i universitetit. Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), ndaj bartësve të institucioneve publike janë të vlefshme kritere të tjera të moralitetit dhe përgjegjësisë juridiko-publike.

Në vijim, dua të kaloj në dimensionin e tretë, i cili është njëkohësisht civil dhe administrativ, por gjithashtu ka edhe elemente penale për shkak të veprimit të vetëdijshëm të rektorit Hajrullahu. Natyra e aktit në këtë rast lidhet me pavlefshmërinë absolute, që mund të prishet (anulohet) në çdo kohë, me efekt retroaktiv (prapaveprues). Kam parasysh sjelljen e tij në rastin e zgjedhjes së tij në thirrjen e fundit si profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik. Për këtë situatë, e cila sqarohet më poshtë, vlejnë dispozitat e Ligjit Nr. 05/L-031, aktualisht në fuqi, sepse bëhet fjalë për një akt të pavlefshëm në mënyrë absolute, ku nuk ekzistojnë kufizime kohore për anulimin e akteve administrative të nxjerra në shkelje absolute të ligjit. Le të shqyrtojmë më tej këtë situatë!

Në datën 27 nëntor 2024, Senati, në pikën e tetë të rendit të ditës, shqyrtoi dhe vendosi për një raport të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Gjatë kësaj mbledhjeje, disa kolegëve nga Fakulteti Filozofik iu shfuqizua përzgjedhja në thirrjet përkatëse akademike, thjesht për faktin se ata ishin të pranishëm kur është diskutuar dhe vendosur çështja e thirrjeve të tyre akademike. Në rastin që po sqaroj këtu, lidhur me rektorin Hajrullahu, situata është shumë më serioze, pasi jo vetëm që bëhet fjalë për pjesëmarrjen e tij në të gjitha fazat e vendimmarrjes për thirrjen e tij akademike si profesor i rregullt, por edhe për votimin e tij në vendimet që kanë çuar në fitimin e thirrjes profesionale. Kjo, pa dyshim, përbën një akt të pavlefshëm në mënyrë absolute.

Tani është koha që t’ju shpjegoj më në detaje për çfarë bëhet fjalë, duke u bazuar në materialet që gjenden në arkivin e Fakultetit Filozofik dhe në arkivin e Universitetit të Prishtinës. Këto materiale janë gjithashtu në posedim të kolegëve tanë që kanë qenë të përfshirë në këtë proces të avancimit të rektorit Hajrullahu në thirrjen e profesorit të rregullt, një avancim tërësisht joligjor.

Sipas dispozitave të Ligjit Nr. 05/L-031, që është aktualisht në fuqi, ky avancim ka natyrën e pavlefshmërisë absolute dhe, si i tillë, ai mund të prishet (anulohet) në çdo kohë pa afate kohore. Le të shqyrtojmë këtë çështje më nga afër!

Në datën 4 maj 2022, është shpallur konkursi për Fakultetin Filozofik (Konkursi nr. prot. 967, datë 4/5/2022, pozita 3, Fakulteti Filozofik). Si pjesë e ekzekutimit të këtij konkursi, më 19 maj 2022 është mbajtur mbledhja e Këshillit të Fakultetit Filozofik, ku është votuar formimi i komisionit vlerësues (Mbledhja e Këshillit, prot. nr. 1875/01, datë 19/05/2022 – Votimi i formimit të komisionit vlerësues).

Hapi i radhës ka qenë mbledhja tjetër e Këshillit të Fakultetit, mbajtur më 26 maj 2022, ku është votuar formimi i referateve për buletin (Mbledhja e Këshillit, prot. nr. 2192/01, datë 26/05/2022 – Votimi i referateve për buletin).

Faza përfundimtare ka qenë mbledhja e Këshillit të Fakultetit Filozofik, mbajtur më 21 qershor 2022, ku është votuar për referatet që do të kalonin në Senatin e Universitetit (Mbledhja e Këshillit, prot. nr. 2322/01, datë 21/06/2022 – Votimi i referateve për Senatin).

Në të gjitha fazat e sipërpërmendura, rektori Hajrullahu ka marrë pjesë dhe ka votuar për vetveten, me qëllim të avancimit të tij në thirrjen e profesorit të rregullt (sic!). Në fakt, ai ka marrë pjesë, ka udhëhequr dhe ka votuar edhe në Katedrën e Shkencave Politike, duke ndikuar në formimin e komisionit të tij recensues, në përcaktimin e numrit të orëve dhe në aspekte të tjera të procesit që më pas kanë kaluar për miratim në Këshillin e Fakultetit dhe tutje në Senatin e Universitetit të Prishtinës, siç u përshkrua më sipër.

Kjo rrethanë e bën rektorin Hajrullahu tërësisht të padenjë për postin e rektorit dhe për çdo funksion që lidhet me etikën e profesorit universitar. Për të pastruar emrin e tij dhe për t’u siguruar që ky proces është i ligjshëm dhe i pastër, rektori Hajrullahu duhet të dërgojë vetë këtë çështje në APK, që ky institucion i specializuar të japë mendimin dhe vlerësimin e tij për këtë situatë.

Senati, më datën e përmendur, në pikën e tetë të rendit të ditës, siç e thashë më sipër, shfuqizoi vendimet për avancim në thirrjet akademike të disa kolegëve të Fakultetit Filozofik, pikërisht për shkak të shkeljes së rregullave mbi konfliktin e interesit, të konstatuara nga opinioni i APK-së. Nëse ky rast i rektorit Hajrullahu do të heshtet, atëherë kjo do të ishte joetike, diskriminuese dhe padrejtësi ndaj kolegëve që u eliminuan në përputhje me pikën tetë të rendit të ditës të mbledhjes së Senatit. Kjo është veçanërisht shqetësuese për faktin e thjeshtë se ky rast është ende i freskët, dhe rregullohet pikërisht sipas Ligjit Nr. 05/L-031, aktualisht në fuqi, dhe ka natyrën e pavlefshmërisë absolute, duke u lidhur drejtpërdrejt me titullarin e Universitetit të Prishtinës – rektorin Hajrullahu.

Sinqerisht,

Enveri

Shpërndaje në: