Kurti merr shembull të çuditshëm: Krahasuar me vitin 2000, ekonomia është 7 herë më e lartë
Kryeministri Albin Kurti ka folur për të arriturat e Qeverisë në rreth katër vite qeverisje.
Ai ka folur për rritje ekonomike e ulje të borxhit publik.
“Ekonomia ka shënuar rritje më të madhe dhe njëkohësisht solide. Në tri vitet e fundit kemi pasur rritje ekonomike mesatarisht prej 6.36 % të bruto-produktit vendor…Në të njëjtën kohë e kemi ulur borxhin publik, nuk kemi pasur një rritje ekonomike që bëhet me llogari të së ardhmes duke e rritur borxhin, por borxhin e kemi zbritur në nivelin prej vetëm 17 % apo për çerekun më të vogël sesa e kemi gjetur”, ka thënë Kurti para deputetëve.
Kurti tha se ekonomia është shtatë herë më e lartë tash sesa në vitin 2000, kur vendi sapo kishte dalë nga lufta shkatërruese me Serbinë.
“Në Kosovë e kemi dëshminë me të cilën duhet të jemi ndërkombëtarisht krenarë, që edhe çlirimi, edhe pavarësia, edhe liria e demokracia ia vlejnë fort. Meqenëse bruto produkti vendor i vendit tonë për këtë vit është shtatë herë më i lartë sesa në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit. Natyrisht që s’krahasohemi me 1999-ën, për shkak të gjenocidit dhe shkatërrimeve të luftës. Le të krahasohemi me vitin 2020.. më falni, me vitin 2000, vitin e parë pas çlirimit. Pra, në vitin 2024, krahasuar me vitin 2000 është shtatë herë më e lartë ekonomia e vendit tonë. Ndërkaq krahasuar me vitin 2008,, kur është shpallë pavarësia, ekonomia është tri herë më e madhe sesa atëherë. E krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019, është 50% më e madhe”, tha Kurti.
Tutje, ka deklaruar se gjatë kësaj kohe janë krijuar 80 mijë vende të reja pune.