Qeveria “Kurti” me rreth 150 këshilltarë, rreth 2 milionë euro në vit për pagat e tyre
‘’Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike….’’, ishte fjalia hyrëse e kryeministrit Albin Kurtit, kur po fliste për numrin e ministrave dhe këshilltarëve në kabinetin qeveritar.
Megjithatë, numri i këshilltarëve, asistentëve politik të kësaj Qeverie është shumë i lartë, madje, kundërshtarët politik, shpeshherë ironizojnë se me këtë numër lirshëm mund të organizohet një ‘’dasmë’’ në ballkonin e Qeverisë, pasi numri i tyre arrin rreth 150 persona që përbëjnë staf politik, pagat e të cilëve kapin vlerën prej mbi prej rreth 2 milionë euro në vit.
Mbi 1 milion euro në vit shkojnë paga për këshilltarët e ministrave të Kurtit, ndërsa mbi 307 mijë euro paga shkojnë për këshilltarët e kryeministrit, mbi 210 mijë euro buxhetit të shtetit i kushtojnë pagat e asistentëve të ministrave, derisa për shefet e kabinetit ministror, shteti paguan nga buxheti i tij rreth 100 mijë euro paga në vit.
Vetë kryeministri Albin Kurti, ka 26 këshilltarë, ani pse dikur thoshte se për të ndoshta do të mjaftonin vetëm pesë të tillë.
“Ndoshta pesë këshilltarë mjaftojnë. 35 janë si të mos jetë asnjë, ose tregojnë një lloj paaftësi fundamentale të vetë kryeministrit”, thoshte dikur Kurti, derisa i kritikonte paraardhësit e tij në krye të ekzekutivit.
Një këshilltar i Albin Kurtit, del se paguhet prej 987 euro në muaj apo 11,884 euro në vit, derisa shefi i zyrës së kryeministrit Kurti, paguhet prej 1,113 euro në muaj apo 13,356 euro në vit.
Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se nëse përfshihen gjithë këshilltarët e kryeministrit Kurti, të jashtëm dhe të brendshëm, i bie se nga buxheti i Kosovës për 26 këshilltarët e kryeministrit aktual, shpenzohen 25,662 euro në muaj apo 307,944 euro në vit.
“Armata” e këshilltarëve në Qeverinë “Kurti”, shpenzime marramendëse të buxhetit
‘’Rrush’’ me numrin e këshilltarëve dhe asistentëve, janë edhe vetë ministrat e kryeministrit Albin Kurti.
Një këshilltar politik paguhet në muaj prej 945 euro, me caktimin e koeficientit të pagës nga Qeveria Kurti.
Hiç më pak se 76,545 euro i kushton buxhetit të Kosovës, pagesa mujore për rreth 81 këshilltarët politik të ministrive apo 918,540 euro paga në vit. Kjo është kostoja e kalkuluar për Ministritë që i kanë publik emrat e këshilltarëve, por janë disa Ministri qëi mbajn “sekret” kshilltart dhe refuzojnë të përgjigjen për numrin dhe pagat e tyre. Një këshilltar politik paguhet në muaj prej 945 euro, me caktimin e koeficientit të pagës nga Qeveria Kurti.
Ministritë e udhëhequr nga VV-ja, kanë mbi 31 asistentë, ku paga e një asistenti është 567 euro në muaj apo 6,804 euro në vit. Për 31 asistentët nëpër ministri nga buxheti i Kosovës vetëm për paga shkojnë 17.577 euro paga mujore apo 210.924 euro në vit.
Shtatë shefe të kabinetit nëpër ministri, janë sipas deklarimit të ministrive në sajtet e tyre zyrtare. Një pagë e shefit të kabinetit të ministrit kap shifrën prej 1050 euro në muaj apo 12.600 euro në vit, derisa për shtatë shefat e kabineteve ministrore për një muaj shpenzohen 7.350 euro në muaj apo 88.200 euro në vit.
FrontOnline, ka kërkuar informacioni për numrin e këshilltarëve dhe asistentëve për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe për zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi, por për më shumë se dy jaavë nuk kanë kthyer përgjigje, deri tek publikimi i këtij artikulli.
Pa kaluar fare tek ministritë tjera, vetëm zëvendësja e parë e Albin Kurtit, e cila është edhe ministre e punëve të jashtme dhe diasporës, Donika Gërvalla, ka hiç më pak se nëntë këshilltarë politik, katër zyrtarë administrativë të saj, katër zyrtarë administrativ të zëvendësministrit, një shef kabineti por edhe një vozitës. Megjithatë, as nëntë këshilltarët e saj, duket se nuk kanë arritur ta këshillonin saktë ministren Gërvalla e cila kohë pas kohe shquhej për huqje nëpër postimet e saj në rrjetin social “X”, herë duke i ngatërruar flamujt e shteteve mike e herë duke ia gabuar emrat atyre.
Keq me këshilltar nuk qëndron as ministri i financave, punës dhe transferove, Hekuran Murati. Ai ka hiç më pak se katër këshilltar, katër asistent administrativ e një shefe kabineti.
Ejup Maqedonci, i pari që drejton Ministrinë e Mbrojtës, i ka shtatë këshilltar politik, një shef kabineti e një shefe të stafit të tij.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk qëndron keq me numrin e këshilltarëve, por ka përgjysmë thuajse më pak, se ministrja Gërvalla. Sveçla korrespondon me vetëm tre këshilltar, tre asistentë dhe një shefe kabineti.
Arben Vitia, ministri i shëndetësisë, duket se ia ka marr dorën këtij dikasteri. Për punën e tij, siç duket mjafton numri i vogël i stafit. Ai ka vetëm katër këshilltar politik, dy asistentë dhe një shefe kabineti.
Ajo që pëlqen shumë autorin turk, Orhan Pamuk, t, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka hiç më pak se 6 këshilltar e dy asistentë, por sikur tek ministrja Gërvalla, edhe tek kjo siç duket, këshilltarët nuk kanë bërë sa duhet, pasi që edhe kjo kishte huqje në emrin e shkrimtarit të madh turk dhe nobelistit, Orhan Pamuk në Orhan Pambuk, e për Akademikun Muhamedin Kullashi e quajti Muhamedin Kullashku.
Ministri që shpesh viziton veriun e vendit, Elbert Krasniqi, që drejton administratën publike ka vetëm katër këshilltarë dhe një shef kabineti.
Ministri që jep tenderë për të i asfaltuar rrugët e Kosovës, Liburn Aliu, ka shtatë këshilltar e dy asistentë në kabinetin e tij.
Ndonëse merret me fushën energjetike, shumë energji për të pasur në stafin e saj prej ministres e ka edhe Artane Rizvanolli. Ajo ka shtatë këshilltarë dhe dy asistente.
Ministria e Kulturës, është tjetër ministri që ka shumë këshilltar. Hajrullah Çeku që drejton kulturën dhe sportin është ‘’rrush’’ me këshilltarë. Ai ka plotë tetë këshilltarë dhe dy asistente.
E para e drejtësisë në vend, që drejton thuajse dikasterin me të rëndësishëm në vend, Albulena Haxhiu, në kabinetin e saj ka gjashtë këshilltarë dhe katër asistente.
Ministri Fikrim Damka, që vjen nga komuniteti pakicë, ka një përbërje të kabinetit prej një shumice që përbën gjashtë këshilltarë, dy asistentë dhe një shef kabineti. Nenaq Rashiqi që udhëheq me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim ka gjashtë këshilltar, katër asistentë dhe dy vozitës, një i ministrit dhe një i zëvendësministrit të tij.
Pa përfshirë këtu Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, pasi të dhënat nuk janë të shfaqur në sajtin e tyre e nuk kemi marrë përgjigje nga ta as pasi ne kemi dërguar pyetje tek kjo ministri, lidhur me numrin e këshilltarëve dhe asistentëve tek kjo ministri.
Pacolli: Kam pasur pesë këshilltarë, një u pagua personalisht nga unë, dy u paguan nga Qeveria dhe tre nga jashtë
Ish-zëvendëskryeministri i parë dhe ish-shefi i diplomacisë së Kosovës, aktualisht kreu i AKR-së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli, për FrontOnline, e konsideron të papërgjegjshme shpenzimin e buxhetit të vendit nga ana e Qeverisë, siç thotë ai, për akomodimin e familjarëve dhe miqve të tyre.
‘’Është e papërgjegjshme si harxhojnë paratë e qytetarëve për akomodim të familjarëve e miqve të tyre që asgjë nuk kane bërë, pos pagave të majme, 2/3 makina me targa civile…’’ tha Pacolli.
Deputeti Pacolli, thotë se kohën kur ishte ai zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, kishte vetëm pesë këshilltar, dy pro bono që paguheshin nga organizatat e jashtme, dy që janë paguar nga Qeveria dhe një këshilltar që ka paguar ai vetë nga paratë e tij personale.
‘’Unë i kam pasur 5 ( dy pro bono ( të paguar nga organizatat e jashtme) dy të paguar nga qeveria dhe një qe kam paguar vetë, me para të mia’’ deklaroj Behgjet Pacolli.
Lekaj: Kur isha ministër kisha më pak këshilltarë e asistentë se sa këta ministrat e Kurtit
Nënkryetari i AAK-së dhe ish-ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj, për FrontOnline, numrin e lartë të këshilltarëve dhe asistentëve politik, të Qeverisë dhe ministrave aktual e sheh si çështje të ndjeshme.
‘’Numri i madh i këshilltarëve dhe asistentëve është një çështje e ndjeshme, sidomos kur shihet në kontekstin e kritika të mëparshme nga Lëvizja Vetëvendosje për mbingarkesën e kabineteve qeveritare në qeveritë e kaluara’’ thotë ai.
Lekaj, potencon se në kohën kur ai ishte ministër, numri i këshilltarëve dhe asistentëve ishte shumë më i vogël.
‘’Kur isha ministër, numri i këshilltarëve dhe asistentëve që mbaja ishte shumë më i vogël, i përqendruar vetëm tek ata me ekspertizë të veçantë në fusha kyçe për të mbështetur prioritetet kryesore të ministrisë’’ thotë ai.
Nënkryetari i AAK-së, shprehet se një kabinet i ngarkuar jo vetëm që rrit koston e buxhetit të shtetit por rrezikon krijimin e burokracisë.
‘’Komentin tim për këtë situatë të tanishme do ta përmbledh kështu: një kabinet i mbingarkuar jo vetëm që e rrit kostot për buxhetin e shtetit, por rrezikon edhe të krijojë më shumë burokraci, duke e penguar efikasitetin e punës dhe zbatimin e politikave të nevojshme për qytetarët’’ thekson Lekaj.
Deputeti Lekaj, thotë se Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme në këtë aspekt.
‘’Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që të ruajë një balancë mes nevojës për ekspertizë dhe për një strukturë të përballueshme që nuk e rëndon publikun pa arsye’’ deklaroj Pal Lekaj për FrontOnline.
Matoshi: Këshilltarët e Qeverisë “Kurti” kanë kosto më të lartë se të “Haradinajt”, pagat i kanë më të larta
Analisti politik, Halil Matoshi për FrontOnline thotë se me pesë këshilltarë edhe do të funksionte ideja e kryeministrit Albin Kurti, por që ata këshilltarë do të ishin ekpertë të dëshmuar.
’Kjo që thotë Kurti për pesë këshilltarë ndoshta funksionon, por duhet të jenë ekspertë të dëshmuar’’, thotë Matoshi.
Ai ka folur edhe për numrin e këshilltarëve në kohën kur ai ishte këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
‘’Në Qeverinë Haradinaj ishin gjithsej 147 këshilltarë (që pasyshim ishte numër i paarsyeshëm) – të Kryeministrit dhe ministrave – pa e përfshirë në këtë shifër numrin e zyrtarëve tjerë, shefat e stafit, të kabinetit, protokollit, drejtorë për informim, drejtorë sektorësh dhe asistentë të tyre’’ thotë ai.
Analisti Matoshi, potencon se pagat e këshilltarëve të Haradinajt, kishin vlerën po aq përafërsisht sa të atyre që ka sot Qeveria Kurti, ani pse numri i këshilltarëve të Haradinajt ishte më i lartë.
‘’Pra, pagat e këshilltarëve të kryeministrit dhe ministrave kapin shumën 1.5 milion euro, përafërsisht sa i kushtojnë Kosovës këshilltarët Qeverisë Kurti sot!? Realisht ky numër këshilltarësh është i madh dhe i padobishëm, sepse duhet të jenë shumë më pak por profesionistët më të zotë që ka vendi’’ thotë ai.