Reagon KEK: Operimi i termocentraleve vazhdon normalisht, kemi siguruar 150 MW nga KESH
Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas shpërthimit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit.
Nga kjo korporatë kanë thënë se se operimi i termocentraleve po vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm, përkundër sulmit të mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit.
KEK ka thënë se po vazhdon të operojë me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A, të cilat nuk janë prekur nga mungesa e ujit nga kanali.
“Po ashtu, në rast nevoje, KEK ka siguruar kapacitetin prej 150 MW nga KESH, i cili do të shfrytëzohet për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike.”
“Korporata Energjetike e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, po vazhdon angazhimet për normalizimin e gjendjes, duke përfshirë edhe institucionet e tjera përkatëse. Të gjitha palët janë të angazhuara në koordinim të ngushtë dhe po punojnë pa ndërprerje për të minimizuar ndikimet dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me ujë për TC Kosova B dhe me energji elektrike për qytetarët dhe sektorët e tjerë të rëndësishëm.” – thuhet në njoftimin e KEK-ut drejtuar mediave.
KEK ka treguar edhe veprimet që janë ndërmarrë pas sulmit të mbrëmshëm në kanalin e ujit të Ibër Lepencit:
-KEK, Ministria e Ekonomisë (ME), dhe Njësita për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
-Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit.
-Po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Iber Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve.
-KRU Prishtina kanë njoftuar se kapacitetet e destinuara nga ky kanal për Mitrovicën dhe Prishtinën mund të sigurohen nga burime të tjera, duke na siguruar që kapaciteti prej Iber Lepenci do të shfrytëzohet vetëm nga KEK.
-Iber Lepenci ka vendosur gjashtë gypa (me diameter 900mm) që mund të furnizojnë sasinë e nevojshme për funksionimin normal të dy njësive të TC Kosova B.