Deputeti gjerman, Roth: Nëse pas sulmit në Zubin Potok qëndron shteti serb, BE-ja duhet t’i jap fund negociatave me Serbinë

Deputeti gjerman, Roth: Nëse pas sulmit në Zubin Potok qëndron shteti serb, BE-ja duhet t’i jap fund negociatave me Serbinë

Michael Roth, kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme të Parlamentit të Gjermanisë, ka dënuar me forcë sulmin e fundit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Kosovë, duke e quajtur atë një “akt terrorist”.

Përmes një mesazhi në platformën X, Roth theksoi se metoda e përdorur në sulm ishte në përputhje me terrorizmin në stilin rus, një taktikë që ai pretendon se po përdoret kundër një shteti sovran në zemër të Evropës.

“Këto janë metoda terroriste ruse kundër një shteti sovran në zemër të Evropës”, tha Roth.

“Këto sulme duhet të hetohen në thellësi. Nëse Serbia vërtet është pas kësaj, gjë që shpresoj të mos jetë, kjo do të shënonte fundin e negociatave të BE-së me Serbinë”, pohoi deputeti gjerman.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar “bandat kriminale të udhëhequra nga serbët” për organizimin e sulmit. Ai theksoi se sulmi ishte drejtuar kundër infrastrukturës jetike dhe mund të çojë në ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji dhe ujë të vendit.

Ndryshe, sulmi ndaj kanalit, i cili siguron furnizimin me ujë për dy centrale energjetike me qymyr në Kosovë, ka ngritur shqetësime për sigurinë energjetike dhe të ujit të vendit.

Shpërndaje në: