Nga të afërmit e QKUK-së tek njerëzit e Vetëvendosjes: Detaje për skandalin me konkursin për fizioterapeutë

Nga të afërmit e QKUK-së tek njerëzit e Vetëvendosjes: Detaje për skandalin me konkursin për fizioterapeutë

Mbi 130 kandidatë konkurruan për pesë pozita Fizioterapeut Bachelor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por procesi është shoqëruar me parregullsi.

Dallavere në konkursin e SHSKUK’së, dyshohet se e anuluan testin me shkrim vetëm për t’i sistemuar të afërmit e VV’së

 

Fillimisht, në konkursin e hapur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), testi me shkrim u anulua pas zërave që shpërthyen në QKUK- dyshime për përpjekje të favorizimit të fëmijëve të autoriteteve të QKUK-së.

Demokracia.com ka konfirmuar se në mesin e kandidatëve që fillimisht kaluan testin me shkrim ishin Riga dhe Nora Geci, vajzat e Lulzim Gecit, Drejtori i QOP (Qendrës Orto-Protetike) të QKUK-së, si dhe Flakon Fetahu, djali i Dr. Avni Fetahut, specialist i urologjisë në këtë institucion. Për më tepër, kryetarja e komisionit, Dr. Besa Ibishaga, është e lidhur profesionalisht me familjen Geci, pasi punon në të njëjtën zyrë me Dr. Fatime Bllacaku Geci, bashkëshorten e Lulzim Gecit, e cila punon në klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, pra në po të njëjtën zyre dhe në të njëjtën klinikë me Kryetaren e Komisionit të parë Dr.Besa Ibishaga, Specialiste e Fiziatrisë.

Në testin e dytë, të njëjtët kandidatë që fillimisht kishin kaluar testin nuk arritën të kalojnë më tej. Pra, tre kandidatët e afërtë me mjekët dhe autoritet në QKUK.

Në fund, janë publikuar rezultatet përfundimtare, të dhëna vetëm me kode. Burime të Demokracia.com kanë bërë të ditur se në mesin e të pranuarve është Lorik Reçica, një person i afërt me Vetëvendosjen dhe ministrin Vitia. Reçica është parë shpesh në aktivitete të VV-së, përfshirë fushatën zgjedhore të Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës dhe në fushatat tjera zgjedhore afër Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të VV-së. Ai ka kaluar konkursin me pikë minimale, duke lënë pas vetëm një kandidat tjetër me një diferencë prej 0.6 pikësh. Po ashtu, në mesin e të pranuarve është edhe shoku i tij me të cilin ka kryer edhe studimet, Egzon Zejnullahu, i cili është i treti në listë me 87.7 pikë.

 

SHSKUK ka dhënë një përgjigje për anulimin e testit të parë. Kanë thënë se vendimi për përsëritjen e testit është marrë se kishte parregullsi në procesin e poentimit në mbledhjen e pikëve, si dhe mangësi në dokumentacionin e kandidatëve.

“Në lidhje me interesimin tuaj mbi anulimin e testit me shkrim për pozitat e Fizioterapeutit Bachelor në QKUK dhe Spitalet Rajonale, ju informojmë si më poshtë: Vendimi për përsëritjen e testit është marrë se kishte parregullsi në procesin e poentimit në mbledhjen e pikëve, si dhe mangësi në dokumentacionin e kandidatëve. Pas analizës së procesit të rekrutimit, kishte gabime në mbledhjen e poentimit të testit me shkrim. Andaj me qëllim të garantimit të integritetit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit, si dhe për të mbrojtur interesin publik, është marrë vendimi për përsëritjen e testit me shkrim dhe anulimin e rezultateve të shpallura më parë, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët dhe eliminimin e çdo lloj parregullsie”, kanë thënë nga SHKUK për Demokracia.com.

Në konkursin për pesë pozita fizioterapeutësh kanë aplikuar mbi 130 kandidatë, por vetëm pesë prej tyre u përzgjodhën. Procesi ka ngjallur shumë dyshime dhe pakënaqësi, ndërsa kandidatët e refuzuar kanë të drejtën të paraqesin ankesa.

Shpërndaje në: