Smakiqi: Urdhri për pagesë ndaj Pjetër Shalës mbetet vetëm në letër
Gjykata Speciale e ka urdhëruar Pjetër Shalën t’i paguajë 208 mijë euro si zhdëmtim tetë viktimave tij të drejtpërdrejta dhe pesë jo të drejtpërdrejta.
Lidhur me këtë, është deklaruar avokati, Xhevdet Smakiqi.
Sipas tij, kompensimi i viktimave të luftës sipas urdhrit të Dhomave te Specializuara të Kosovës në rastin e Shalës duket te jetë i pazbatueshëm edhe për shkak të rrethanave faktike, por edhe juridike.
“Pjetër Shala ende nuk është shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë, pra nuk janë shterur mjetet juridike me anekse dhe as me mjete të jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme të Dhomave te Specializuara dhe as në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara. Duke pasur parasysh faktin se Pjetër Shala ish-pjesëtar i UÇK-se ende konsiderohet i pafajshëm pasi që nuk ka përfunduar procedura e shqyrtimit të ankesës urdhri për kompensim të viktimave nuk mund të gjejë mbështetje për zbatim deri sa aktgjykimi ndaj Pjetër Shala të marrë formën e prerë. Dhomat e Specializuara e kanë pasur në konsideratë gjendjen e rëndë financiare që vetë Pjetër Shala të kompensojë viktimat në atë lartësi prej 208.000.00€, ashtu që kanë caktuar një gjyqtar të përcjellë urdhrin me sugjerimet që Republika e Kosovës të nxjerrë ligje për këtë çështje dhe të përcaktojë programin për kompensimin e viktimave të luftës, hapësirë kjo ligjore zbrazëti, e cila e bën pothuajse te pamundur ekzekutimin e urdhrit as nga Pejtër Shala as nga Republika e Kosovës”.
“Kurse sa i takon kompensimit financiar në vlerën prej 208.000.00€ për viktimat në rastin e Pjetër Shalës, Republika e Kosovës ligjërisht nuk mund të ekzekutohet pasi që edhe Ligji aktual ligji nr.05/L-036 ne nenet 23, nenin 29 nenin 8 nenin 14 dhe nenin 30 nuk përfshin viktimat e krimit të luftës 1998 dhe 1999, pra nuk ka juridiksion kohor. Prandaj sipas pikëpamjes sime ky urdhër ndaj Pjetër Shalës mbetet vetëm në letër aktualisht”, është shprehur ai.