Blinken uron shqiptarët për Pavarësinë: Shqipëria ka ilustruar vlerat e dëshirës për paqe dhe siguri
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar të gjithë popullin shqiptar në rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së vendit, duke thënë se në fakt Shqipëria është një shembull real i dëshirës për paqe dhe siguri.
Përmes një mesazhi urimi nga Departamenti amerikan i Shtetit, Blinken ka gjetur rastin t’i urojë shqiptarëve një pavarësi të gëzuar dhe ka ndarë dy fjalë edhe për rrjedhën politike të vendit ndër kohë.
Ai po ashtu ka theksuar mbështetjen amerikane për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e rrugës euroatlantike dhe në atë të luftës ndaj korrupsionit.
Mesazhi i Blinken:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet tona më të mira popullit të Shqipërisë, teksa ju festoni 112-vjetorin e Pavarësisë.
Marrëdhëniet e ngushta midis kombeve tona janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike dhe një dëshirë të ndërsjellë për paqe dhe siguri. Shqipëria i ka ilustruar këto vlera nëpërmjet mbështetjes së saj të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar rus, udhëheqjes së saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe angazhimit të saj të palëkundur ndaj sigurisë kolektive të NATO-s. Ne vlerësojmë thellësisht mikpritjen dhe ndihmën e Shqipërisë si mikpritës i përkohshëm për aleatët tanë afganë.
Shtetet e Bashkuara presin me padurim partneritetin tonë të vazhdueshëm në ndjekjen e prioriteteve të përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Jam i bindur se lidhjet e forta mes popullit shqiptar dhe atij amerikan do të vazhdojnë të lulëzojnë ndërsa punojmë së bashku për tregtinë dhe investimet, diversifikimin e energjisë së rinovueshme dhe integrimin më të ngushtë të të gjithë rajonit. Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë në këto përpjekje do të forcojë Shqipërinë, marrëdhëniet tona dypalëshe dhe vlerat e përbashkëta që ne kremtojmë.
I uroj popullit të Shqipërisë një festë të gëzuar të Pavarësisë.