Abdixhiku: Shqipëria pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Abdixhiku ka thënë se Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, duke shtuar Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ai ka kujtuar edhe Presidentin Historik, Ibrahim Rugova. Komandantin Legjendar, Adem Jashari dhe dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo datë, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut; mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot!”, ka shkruar Abdixhiku.